Armando Broja ka filluar stërvitjet e plota me skuadrën e Çelsit, teksa është vënë që nga java e kaluar nën urdhrat e trajnerit Tomas Tuhel. Ai pret ende të mësojë nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e bluve apo jo, por nga dita në ditë, shtohet besimi se tekniku gjerman ka dëshirë të mbajë futbollistin.
Tashmë në Angli janë të bindur se blutë e shohin si një lojtar me shumë perspektivë Brojën ndaj do të mbajnë futbollistin e të largojnë ata të cilët nuk kanë përmbushur pritshmërinë. Gazetari britanik Aleks Kruk deklaroi për “GiveMeSport” se vetë pronari i Çelsit, Tod Bohli, nuk do të ndërhynte që të largonte futbollistin shqiptar dhe preferonte që të shihte larg skuadrës edhe emra shumë të famshëm para Brojës.
“Mendoj se Bohli po kërkon që të heqë qafe Verner, bashkë me shumë prej atyre që kanë rroga të larta. Mendoj se Bohli do të dëshironte më shumë që të mbante lojtarë si Kolvill e Broja, dhe të ndërtonte për të ardhmen, ndërsa përfiton financiarisht nga shitja e emrave si Verner, Hadson-Odoi, emra të cilët nuk kanë përmbushur pritshmërinë, Barklei e ndoshta edhe N’Golo Kante”, theksoi gazetari i njohur britanik.
Arena e Lajmit