“Kemi lojtarë që nuk ndalen së fituari”, Ançeloti: Benzema është më i miri nga të gjithë

Reali i Madridit ka mundur Juven tusin 2-0, duke e mbyllur me fitore turneun e tij në SHBA. Pas një nisjeje të ngadaltë në pjesën e fundit, “Los Blancos” kanë përmirësuar ndjeshëm ritmin e tyre dhe trajneri italian beson se më datë 10 gusht, skuadra e tij do të jetë gati për finalen e Superkupës së Europës përballë Eintrahtit të Frankfurtit.

anceloti

Edhe njëherë tjetër, trajneri i kampionëve të Spanjës dhe të Europës ka vlerësuar me notën maksimale kapitenin Karim Benzema, autor i një goli ndaj Juventusit, si dhe treshen veterane të mesfushës, Kasemiro-Kros-Modriç. Madje, për këtë treshe, tekniku ka zgjedhur një krahasim tepër të goditur, duke i etiketuar si trekëndëshi i Bermudës.

NDESHJA

“Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, luajtëm mirë, e kontrolluam ndeshjen me lehtësi… Në tërësi jam i kënaqur me këtë pjesë të fazës përgatitore për sezonin e ri. E nisëm disi ngadalë, por nga ndeshja në ndeshje skuadra ka shfaqur rritje. Skuadrën e kam parë shumë mirë”, ka theksuar trajneri i Realit.

REALI, I URITUR

“Me këtë përbërje që ka Reali nuk është e vështirë të ruash këtë ritëm. Kemi lojtarë me mjaft eksperiencë, që kanë fituar gjithçka dhe që nuk ndalen asnjëherë së fituari. Është e pamundur të mendosh se ata do të heqin dorë kur përmend emra si Benzema, Kasemiro, Modriç, Kros…”

BENZEMA

“Benzema është më i miri nga të gjithë, pa kurrfarë dyshimi. Gjithçka që bën e bën në mënyrë ideale. Është thuajse e pamundur ta markosh. Është Karim Benzema!”

TRESHJA E MESFUSHËS

“Personalisht më pëlqejnë dy lloj muzike, ajo klasike dhe ‘rock and roll’. Unë shpesh Kasemiron, Krosin dhe Modriçin i quaj trekëndëshi i Bermudës, sepse e fshehin topin kur luajnë së bashku”.

INVESTIMET E BARCELONËS

“Në futboll asgjë nuk më duket e habitshme. Ata kanë investuar shumë në merkato dhe po ndërtojnë një skuadër të shkëlqyer, por mua më intereson skuadra ime. Se për Barcelonën, ajo meriton gjithnjë respekt”.

FORMACIONI IDEAL

“Në futboll nuk para ka sekrete të mëdha. Ndonjëherë edhe unë kam pikëpyetjet e mia, sepse më duhet të vlerësoj më shumë se një gjë… Ajo që di të them është se kam një skuadër me përbërje mjaft të mirë, por unë nuk mund të them që tani me siguri se cili do të jetë në fushë në finalen e Superkupës së Europës. Deri në atë takim kemi dhe disa ditë kohë dhe të shohim se si do të mbërrijmë”.

LEDJO SEFERKOLLI-Arena e Lajmit


“Kemi lojtarë që nuk ndalen së fituari”, Ançeloti: Benzema është më i miri nga të gjithë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook