Skënderbeu humbet edhe në miqësoren e dytë. Këtë herë ishin miqtë nga Malisheva ata që triumfuan në Korçë. Nga një gol për çdo pjesë shënuan kosovarët e Arsim Thaçit, duke e fituar këtë takim. Pati lojë të luftuar në të dyja ekipet, por korçarët nuk dolën dot te goli.
NDESHJA – Loja nis e mirë për Skënderbeun që fiton terren pak e nga pak në minutat e para dhe për 20 minuta mban Malishevën në gjysmëfushën e saj. Pusi dhe Abubakar shfaqen disa herë të rrezikshëm në zonë, teksa fillimisht gjuajtja e ganezit përfundon pak mbi traun e portës, teksa Gashi bën ndërhyrjen decizive tek finalizimi i Pusit pas një pasimi të bukur të Liçit. Kosovarët janë më të freskët dhe marrin territor, duke gjetur edhe golin në minutën e 37- të. Vitija gjen saktë Hajdarin në hyrje të zonës që pasi merr me vete Rapën dhe Hysollin, godet në krahun e kundërt të portierit Ruçi duke e zënë në kundërkohë.
Skënderbeu mundohet të reagojë, por has në mbrojtjen e pakalueshme të miqve. Rastin më të mirë e ka Prençi i cili pas një harkimi të bukur të Hysollit godet fort me kokë, ndërsa Gashi me një ndërhyrje fantastike i mohon golin. Në pjesën e dytë ndërrimet dhe lodhja duket se nxjerrin nga “shinat” vendësit, që nuk mbajnë dot ritmin e miqve. Janë lojtarët e Malishevës që kontrollojnë gjithçka dhe arrijnë të dyfishojnë. Dy gabime të pafalshme të Skënderbeut, i pari që zgjidhet mirë nga Zenunllari dhe i dyti që çon në golin e miqve. Është i riu Hazrullaj që përfiton nga dhurata e prapavijës korçare dhe me një të djathtë të bukur mposht Alliun. Me shifrat 0-2 mbyllet testi i dytë miqësor për Skënderbeun, që tregon se ekipi nuk është akoma gati dhe themelet po hapen të thella për të ngritur projektin e ri.
MEMELLI – Migen Memelli nuk e bën dramë humbjen. Trajneri qartëson për “Panorama Sport” se janë në proces rindërtimi. “Jemi ende në fillim të punës dhe normalisht që lodhja dhe ngarkesa do të ndihen. Nuk jemi gati në përqindje të madhe, ndaj këto ndeshje na shërbejnë për të krijuar një ide se çfarë mungon. Sot (dje) kemi bërë një pjesë të parë disi të mirë, por nuk kemi mundur dot të ruajmë ritmin gjatë. Kemi shumë lojtarë të rinj që duan kohë dhe janë ende në provë. Kemi bërë shumë gabime dhe një pjesë e tyre për këta lojtarë janë të pafalshme, por më mirë të gabojmë tani kur kemi mundësi të rikuperojmë gjërat. Me kalimin e ditëve do të shohim se çfarë mund të ndodhë dhe cilët do të mbeten te Skënderbeu. Presim afrime të tjera me qëllim krijimin e boshtit të sigurt mbi të cilin do të ndërtohet i gjithë ekipi”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut.
– Arena e Lajmit