Kampion Italie dhe bilardoje, rrëfimi special i Florencit: Jam edhe unë kapiten

Vetëm prej një viti te Milani dhe është kthyer në pjesë thelbësore të grupit, ndaj edhe në intervistën për “La Gazzetta dello Sport” flet si lider e me detaje për secilin nga shokët.

FLORENCI

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me dikë që ka përvojë si Alesandro Florenci, i cili duhej të ishte veshur kuqezi që në 2020-ën, por fjala e dhënë ndaj Valencias pati bërë që të refuzonte, edhe pse pa dashur, kuqezinjtë.

Kë zgjidhni për të luajtur tenis më këmbë?

Askënd përveç Sandros. Ka shpirt luftarak si unë.

Po për ta sfiduar në bilardo?

Aty e kam edhe më kollaj. Më i forti, pas meje, ishte Daniel Maldini. Më pas besoj Tonali e Gabia të cilët betohen se edhe Mesiasi është fort i zoti. Uroj që sivjet bilardos së “Milanello”-s t’i ndryshojnë copën, por vështirë se ka për të ndodhur. Nuk e prekin sepse thonë se luante Van Basteni…

Cili është shoku i skuadrës më i heshtur?

Mesiasi.

Më i rrëmujshmi?

Nuk kam rivalë në këtë aspekt.

Si ju duket pamja e shokëve të ekipit?

Shihni e shkruani. Zhiru u bë biond e duket edhe më i shëmtuar se Teo me flokët rozë.

Cili është më i shpejti?

Hidhni një sy nga korsia e majtë. Sidoqoftë, mendoj se Teo është më i shpejtë se Leao.

Kush i ekzekuton më keq goditjet e dënimit?

Mes atyre që provojnë me siguri Salmakersi, por as unë nuk jam ndonjë fenomen.

Ka ndonjë sekret titulli i fituar vjet?

Patjetër. Grupi! Trajneri thotë shpesh se suksesi i ndryshon njerëzit. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë dhe Pioli është shumë i aftë për ta bërë diçka të tillë.

Brenda grupit a ekziston më euforia e titullit?

Po, është. E ndiejmë e duhet ta ruajmë që të mos shuhet.

Si ka mundësi që jeni lidhur kaq fort në kaq pak kohë me Milanin?

Sepse ky klub më besoi në një moment kur jo të gjithë ishin të gatshëm ta bënin. Duhet të falënderoj Masarën i cili më njihte. Uroj t’i kem pëlqyer edhe Maldinit. Por, sidoqoftë Milani më kishte kërkuar që në janar të 2020-ës kur ishte Bobani. I kisha dhënë fjalën Valencias dhe mendova se do të vija te Milani nëse do të ishte e shkruar. E kështu rezultoi.

Edhe sivjet Juvja e Interi e nisin si favorite…

Kështu thanë edhe vjet. Kjo nuk më shqetëson, por do të më shqetësonte nëse në qershor të vitit tjetër do të ngrenë ata trofetë. E di që mbase po i hyj në hak Interit, por mendoj se Juvja është përforcuar më tepër. Di Maria është lojtari më i fortë që kam parë të luajë në krahun e djathtë. Edhe më i mirë se Salahu, i cili kur ishte te Roma nuk është se pati shpërthyer.

florenci

Cilët do të vlerësonit nga grupi kuqezi?

Kjaerin, pasi kur flet, të tjerët janë të gjithë “gatitu”. Edhe Kalabrian, një kapiten në dispozicion të të gjithëve. I ekuilibruar e që nuk thotë kurrë diçka të gabuar. Ata janë kapitenë, por Ibra, Menja dhe unë ndihemi të tillë.

Nëse do të kishit një këshillë, për kë do të ishte?

Për Leaon. Duhet të bëjë një tjetër hap në aspektin e mendësisë. Jo se nuk e ka, por nuk duhet të fiksohet për të dribluar më tepër sesa duhet. Vetëm kjo i mungon sepse ka çdo karakteristikë tjetër që mund t’i duhet. Më kujton Mbapenë i cili ka dhuntinë se nuk gabon kurrë përpara porte. Edhe Leao aty afër është. Për mua është lojtar i madh, por mos ia thoni…

Arena e Lajmit


Kampion Italie dhe bilardoje, rrëfimi special i Florencit: Jam edhe unë kapiten

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook