Interi është përfshirë thuajse i gjithi në vorbullën e merkatos këtë verë. Zikaltrit kanë pasur një sërë zhvillimesh dhe me shumë gjasa deri në ditën e fundit të merkatos, do të ketë dhe të tjera lëvizje. Nënkampionët e Italisë kanë afruar disa lojtarë të rëndësishëm në merkato, por tashmë duhet të mbrojnë krahët nga klubet e tjera që kanë nisur të hedhin sytë nga xhevahiret e zikaltërve. Mediat italiane kanë bërë me dije se Çelsi është gati të zhvatë Interin, duke kërkuar plot tre lojtarë të zikaltërve.
Me radhë, Milan Shkriniar, Denzel Dumfris dhe Çezare Kazadei kanë përfunduar në listën e blerjeve të trajnerit të bluve, Tomas Tuhel. Çelsi me sa duket ka zgjedhur Serinë A për të bërë pazar këtë merkato vere. Pasi ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Kulibali nga Napoli, tashmë ka hedhur vështrimin nga Interi. Sipas raportimeve të mediave britanike, për treshen e lojtarëve të Interit, Çelsi ëhstë gati të investojë jo pak, por plot 142 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve, rreth 80 milionë euro, Çelsi do t’i bëjë për mbrojtësin Milian Shkriniar. Ky është çmimi që Marota ka vënë për sllovakun dhe nuk i lëviz asnjë qindarkë.
Këtyre milionave u shtohen dhe 40 milionë të tjerë që Çelsi do të paguajë për holandezin e krahut të djathtë, Denzel Dumfris. Ndoshta, londinezët mund të ngrenë disi ofertën për të parë dhe interesin e madh nga Totenhemi dhe Mançester Junajtidi. Pjesa tjetër e mbetur, rreth 22 milionë euro do të shpenzohen për talentin e ri të zikaltërve, Çezare Kazadei.
Interi raportohet se ka refuzuar një ofertë të parë të Çelsit për këtë lojtar, me blutë që kanë ofruar vetëm 10 milionë euro. Në rast se Interi do ta realizonte këto blerje për shumën e 142 milionë eurove, ato do ta ndihmonin jo pak klubin zikaltër për të rregulluar bilancin e tij financiar si dhe të kishte mundësinë të gjente dhe pasuesin e Milian Shkriniar.
Arena e Lajmit