Premier Liga po bëhet gati për një ndryshim historik, që mund të rritë edhe më shumë tranparencën rreth asaj që ndodh në fushën e lojës sa i përket vendimmarrjes së gjyqtarëve. Pjesë e lojës tashmë janë bërë edhe studiot e VAR dhe Premier Liga ka vendosur që t’i japë zë edhe asaj që ndodh në studion ku monitorohen pamjet e ndeshjeve.
Sipas “The Times”, Premier Liga është gati që të publikojë dialogjet e gjyqtarëve me dhomën e VAR në momentet e vendimmarrjes rreth rasteve të diskutueshme, në mënyrë që të rritë më shumë transparencën dhe të bëjë kampionatin edhe më të besueshëm. Shefi ekzekutiv i Premier Ligës, Riçard Masters, ka thënë se ka mbështetje të plotë për ta vënë në zbatim këtë plan, por nuk ka dhënë afat se kur mund të implementohet.
“Mendimi i përgjithshëm është që publikimi i audiove është diçka e mirë. Ekziston dëshira për të qenë më të hapur ndaj fansave rreth vendimeve të gjyqtarëve dhe tashmë duhet që të shohim se si mund ta realizojmë këtë “, tha Masters.
Në kampionatin amerikan të futbollit, MLS, ky plan është vënë në zbatim, me përmbledhje të bisedave mes gjyqtarëve dhe dhomës së VAR që publikohen pas ndeshjes në YouTube.
Arena e Lajmit