Silvester Shkalla është një nga goditjet e Flamurtarit në këtë merkato vere. Qendërmbrojtësi me eksperiencë ka ardhur në Vlorë për arritjen e objektivit, kthimin e Flamurtarit në elitë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Shkalla flet si vlonjat kur thotë se ky është Flamurtari që nuk i druhet asnjë kundërshtari. Mbrojtësi kryeqytetas është i bindur se kuqezinjtë do të ringrihen, ndërsa thekson se në Vlorë erdhi pasi e bindi projekti i klubit.
Shkalla, firmosët me Flamurtarin, si ndiheni?
Ndihem shumë mirë. Flamurtari është një emër i madh në futbollin shqiptar. Çdokush e ka nder të veshë këtë fanellë për vetë peshën që ajo mban. Tashmë më takon mua që këtë privilegj ta kthej në punë, sakrificë dhe djersë për ta rikthyer këtë skuadër të madhe aty ku e ka vendin, në elitë, mes ekipeve më të mira.
Cila është kontrata juaj me klubin vlonjat?
Kam firmosur një kontratë për një vit, por me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Pra, me Flamurtarin kam një kontratë 1+1. Jam i lumtur dhe shumë i privilegjuar që do të jap kontributin tim te Flamurtari.
Çfarë ju bindi që të vinit në Vlorë?
Më pëlqeu projekti i presidentin Sinan Idrizi. Sapo u njoha me ambiciet e klubit nuk u mendova dy herë. Kanë një projekt shumë të mirë dhe që është tepër konkurrues. Nuk kishte se si të ktheja një përgjigje negative. Më bindi puna e drejtuesve, dëshira dhe vullneti i tyre për të bërë më të mirën për skuadrën. Drejtuesit e klubit janë të angazhuar maksimalisht. Ata më kontaktuan dhe më prezantuan projektin dhe pasi i dëgjova vendosa t’i bashkohesha Flamurtarit.
Objektivi është Superiorja, mendoni se do të arrihet sezonin e ardhshëm?
Ekipi është projektuar për t’u ngjitur në elitë, kështu që unë e shikoj si një objektiv më se të arritshëm. Kam bindjen se vitin e ardhëm të gjithë bashkë do ta çojmë skuadrën në vendin që duhet të jetë.
Por do të jetë një kampionat i vështirë në fakt, me kundërshtarë të fortë këtë sezon në Kategorinë e Parë…
Nuk i trembemi asnjë kundërshtari. Ne jemi Flamurtari, shikojmë punën tonë për të bërë maksimumin. Nuk ka pse të kemi frikë nga asnjë kundërshtar.
Si e vlerësoni ndërtimin e skuadrës?
Siç e thashë, është një skuadër që po ndërtohet me qëllim për ta kthyer Flamurtarin në elitë. Janë lojtarë me shumë eksperiencë dhe që i dinë potencialet si dhe detyrat e tyre.
– Arena e Lajmit