Robert Levandovski dëshironte që të transferohej te Barcelona, por duket se ai që bëri të pamundurën për të bërë realitet kalimin e tij nga Bajern Mynih në këtë sezon, pa pritur vitin tjetër, ishte menaxheri i tij, Pini Zahavi.
Ai ishte personi i cili prej dy vitesh mundohej që të transferonte Levandovskin, pasi kërkonte përqindje nga shuma që do të shërbente si pagesë transferimi në klubin e ri, duke mos pritur fundin e kontratës kur ai do të ishte lojtar i lirë. Falë insistimit të tij, transferimi është bërë realitet një vit para mbylljes së kontratës me Bajern Mynih dhe tashëm është mësuar arsyeja pse Zahavi e kërkonte me çdo kusht në këtë verë.
Sipas “The Athletic”, menaxheri do të përfitojë 10 milionë euro si komision për rolin e ndërmjetësit në sigurimin e firmës së Levandovskit nga Bajern Mynih. Një shifër e jashtëzakonshme kur mendon se Barcelona po përpiqet me çdo kusht të kursejë dhe po u kërkon lojtarëve që të përgjysmojnë rrogat e tyre. Kjo shumë i shtohet asaj prej 45 milionë eurosh, plus 5 të tjera si bonuse, që katalanasit kanë paguar në arkat e Bajern Mynih.
Arena e Lajmit