EKSKLUZIVE/ “Duhet cilësi për Europën”, Bledi Shkëmbi: Superiorja sikur është ndërruar me Kategorinë e Parë, ja çfarë bënte Skënderbeu kampion (E PLOTË)

Vëmendja sot kthe het nga ndeshjet e Europës, ku shumë ekipe, por jo ato të Superiores, do të vazhdojë rrugëtimin e tyre për të kapur një vend në grupet e këtyre kompeticioneve. Në lidhje me këtë mungesë dhe mbylljen e rrugëtimit të Tiranës, Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë, për “Panorama Sport” ka folur Bledi Shkëmbi, ish-trajner i Dinamos, Teutës, por edhe ish-kapiten i Skënderbeut në kohën kur lulëzonte në Europë. Shkëmbi shprehet se të gjithë prisnin më shumë nga ekipet shqiptare dhe ndalet gjithashtu edhe te cilësia e kampionatit vendës, sepse sipas tij që aty fillon.

SHKEMBI

Bledi, ekipet shqiptare e kanë mbyllur me Europën, e kishit menduar që do ishte kaq i shkurtër ky rrugëtim? Jemi në turin e tretë dhe nuk kemi asnjë ekip…

Normal që na vjen keq. Gjërat në futboll janë edhe pak specifike, nuk janë kaq të thjeshta. Ne prisnim më shumë, sidomos pas ndeshjeve të para por mua nuk më pëlqen ta nxi këtë pjesën e futbollit pavarësisht se u pa që në shumë momente ekipet nuk treguan atë që ne presim apo duam. Patjetër duhet të bënin diçka më shumë, sidomos Tirana. Nëse do të kishim edhe pak më shumë fat, mund të kishim bërë diçka më shumë, mendoj që u mungoi edhe fati.

Nëse shikojmë nivelin e ekipeve që jemi përballur, përveç Vllaznisë që deri diku kishte një kundërshtar të fortë, pjesa tjetër ishin kundërshtarë të kalueshëm, por ne përsëri u eliminuam. Si e shikoni këtë?

Në Shqipëri të gjithë thonë se problemi qëndron te trajneri. Unë nuk jam dakord me këtë, mendoj ndoshta nuk kaluan sepse nuk u përgatitën gjatë gjithë kohës si duhet për të përballuar dhe kaluar ture, duke nisur që nga merkatoja. Për pjesën e merkatos normale që nuk është vetëm faji i klubeve sepse jemi afër futbollit, edhe unë personalisht mendoj që merkatoja ka probleme dhe në cilësi dhe në lojtarë që nuk ka shumë, sidomos lojtarë të nivelit të pagesave që ne duam të marrim, pra nuk ka shumë alternativa dhe kjo patjetër është problem për klubet.

Ndoshta edhe mungesa e eksperiencës së klubeve që duhet të kuptojnë që kampionati shqiptar nuk është njësoj me lojën në Europë. Në Europë duhet gjithmonë diçka më shumë, sidomos cilësi, dhe klubet që kanë mundësi për t’u përmirësuar në cilësi duhet ta bëjnë këtë në momentin që luajnë në Europë.

Po mentaliteti me të cilin ekipet hynë në fushë, mendoni që ka ndikuar?

Unë them që cilësia e lojtarëve ndryshon dhe mentalitetin e skuadrës. Nuk mund të mendoj që Tirana nuk kishte mentalitet, Tirana ka lojtarë me eksperiencë, lojtarë me mentalitet, lojtarë që i grumbullon edhe Kombëtarja, por duhet të bënin diçka më tepër se kanë bërë në kampionatin shqiptar. Në asnjë moment nuk harroj që nuk kanë pasur edhe fat, p.sh Tirana në ndeshjen e kthimit me Dudelanzhin duhet të shënonte që në pjesën e parë.

Po Laçi i cili ka pasur një stabilitet në Europë vitet e fundit, këtë vit e mbylli me një humbje të thellë në shtëpi…

Laçi e mbylli me një humbje të thellë që nuk e prisnim, duke parë mënyrën si luan Laçi që është një ekip shumë kompakt, që luan mirë taktikisht, që lufton, por që u shpërfytyrua në ato 25-30 minuta si ekip që rrallë i ndodh. Mendoj që edhe te Laçi ka ndikuar eksperienca dhe merkatoja, janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm dhe është normale të mos arrish menjëherë rezultatet që dëshiron.

Është gjë tjetër që ne trumbetojmë me të madhe se duhet të kalojmë ture por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të shikojmë sa kemi mundësi, ndoshta ndonjëherë kaq mundësi kemi dhe nuk duhet të ngremë mendjen për më shumë. Kjo varet edhe nga kampionati shqiptar, është ai që bën që të ndryshojë cilësia e ekipeve. Cilësia e kampionatit bën që të rritet cilësia e ekipeve

Ju keni qenë pjesë e Skënderbeut, çfarë kishte ndryshe ajo skuadër, apo cilët ishin komponentët që çuan në atë arritje siç ishte kapja e grupeve?

Mua nuk më pëlqen të kujtoj kohët apo të them çfarë kemi bërë, por së pari ai ekip kishte shumë cilësi, në çdo repart, ishte ndoshta ekipi më cilësor ndër vite i kampionateve shqiptare me sa mbaj mend unë. Tjetra ishte se ekipi dhe klubi kishin politikat e duhura për t’u përforcuar, pavarësisht se ekipi dilte kampion, gjithmonë në Europë ishte ekip që përforcohej. Më kujtohen afrime si Salihi, Olahinka, pra në momentet që mbaronte kampionati dhe dilnim kampion ishte e sigurt që do të afroheshin edhe tre lojtarë të tjerë për të përforcuar ekipin, dhe këta ishin lojtarë që bënin diferencën, vinin gjithmonë lojtarë që na bënin të kalonim ture ose minimumi na bënin të ishim shumë të barabartë me kundërshtarët.

Ekipet këtë vit në fakt e ruajtën grupin, por përsëri nuk ia dolën…

Siç e thashë duhet të kuptojmë ndryshimin, nuk është njësoj të luash në kampionatin shqiptar dhe në Europë. Pavarësisht nga çfarë kampionati vjen kundërshtari, ne kemi parë që edhe nga kampionate, në letër më të dobët, kanë dalë mbi kundërshtarë të fortë. Tirana vërtet ruajti skuadrën, atë që ka kërkuar edhe trajneri Shehi, duhet të bënte më shumë nuk diskutohet, por në asnjë mënyrë nuk mendoj se është bërë diçka gabim nga trajneri apo në merkato. Nuk duhet të harrojmë se e para janë kushtet financiare të klubeve, sa mundësi kanë të afrojnë lojtarë dhe të çfarë niveli.

Rikthehemi dhe njëherë te Skënderbeu, ju vjen keq që do ta shihni në Kategorinë e Parë vitin tjetër?

Patjetër që më vjen keq, me gjithë respektin për të gjitha ekipet, por duket sikur ka ndërruar vendet Kategoria e Parë me Superioren. Na vjen keq të gjithëve si njerëz të futbollit dhe si tifozë, por duhet të respektojmë edhe këto qytetet e vogla që bëjnë maksimumin për të kapur elitën, ndërsa ekipet me emër janë këtu ku janë për gabimet e tyre. Në futboll duhet të paguash gabimet.

Në media është folur shumë kohët e fundit për skemën e kampionatit me 10 ekipe, pavarësisht se atë e vendos federata përkatëse, ju personalisht çfarë mendimi keni?

Personalisht unë patjetër që do të dëshiroja që ekipet dhe qytetet me traditë të ishin në Superiore, por pas kësaj vjen pjesa që nuk ka pse të jetë në Superiore ekipi i një qyteti të madh nëse nuk ka financime, kushtet ideale dhe një skuadër të denjë për Superiore. Pra, duhet t’i shkosh mendimit dhe gjykimit deri në fund. Ne duam një Flamurtar dhe Skënderbe në Superiore me skuadra të denja dhe të mirinvestuara siç kanë qenë dikur. Kur këto skuadra kanë qenë në nivelin më të mirë, kampionati ka qenë më i fortë dhe kalonin edhe ture në Europë.

Projekti i radhës i Bledit, ku do ju shohim në futboll përsëri?

Kam pasur dy oferta për të cilat nuk kemi rënë dakord në synimet që kemi pasur, dhe për momentin jam në pritje, duke pritur me mirësi dhe jo duke uruar që sa më shpejt të ndërrohen trajnerët, sinqerisht nuk ia uroj asnjë kolegu. Të gjitha skuadrat, presidentët, tifozët duhet t’i shohin gjërat më gjerë se thjesht te trajneri.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit

 


EKSKLUZIVE/ “Duhet cilësi për Europën”, Bledi Shkëmbi: Superiorja sikur është ndërruar me Kategorinë e Parë, ja çfarë bënte Skënderbeu kampion (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook