Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar këtë mesditë në rubrikën “Opinion” në News24, ka denoncuar sërish fluturimet me charter të kryeministrit Edi Rama.
Ai tha se kryeministri i ka bërë reklamë një biznesi, “Air Albania” gjë që është e ndaluar. Vasili thotë se mund ta kuptojë vetëm nëse e ka bërë pa qëllim, por nëse këto fluturime dhe këtë reklamë e ka bërë me vetëdije, atëherë sipas tij është i përfshirë në një “biznes që mban erë”.
Sipas Vasilit, “Air Albania” nuk dorëzon bilancet në fund të vitit si dhe nuk njihen se kush janë aksionerët e këtij biznesi.
“Po çeshite ky? Këtu rëndohet shumë pozicioni i kryeministrit. Jo rastësisht kam pritur deri sot, prita që SPAK do ishte në këmbë, që i bën promocion një biznesi të caktuar. Kujt? Një biznesi që nuk dorëzon bilancet e tij? Nuk deklaron aksionerët, nuk dimë as kush i merr këto përfitime.
Në mënyrë absolute një zyrtar i lartë nuk mund të bëjë reklamë një biznesi. Garën e preferencës e zgjidh publiku i gjerë. Qeveria të jetë e drejtë, të mos jetë diskriminues, ligjet të mos jenë preferenciale.
Pranova lajthitjen e një sekonde, por tek biznesi që paska kaq shumë probleme? Bizneset e vogla për një gabim në bilancin e dyte, janë dënuar me 2 mln lekë gjobë. Ndërsa këtij biznesi nuk i njihen aksionerët.
Mos ndoshta ky biznes fsheh diçka? Ka pastrim parash? Tek ky e gjeti kryeministri? Atëherë nëse e ka bërë këtë me ndërgjegje, është i përfshirë, është i përfshirë në një biznes që mban erë.
Ç’është ky që pa bilance nuk i njihen aksionerët? Kush është ky avion? Nga ka ardhur?”, tha Vasili.