Aldo Bare kërkon ulje të dënimit. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit nga avokati Oligert Kume që përfaqëson të dënuarin me burgim të përjetshëm Alfred Shkurti është kërkuar ulje dënimi për vitet 2014-2021 referuar Ligjit për trajtimin e të burgosurve pasi për çdo vit ligji parashikon ulje dënimi me 45 ditë kalendarike duke patur parasysh amnistinë e vitit 2014.
Ndërkohë nga avokati Oligert Kume është bere kallëzim penal në SPAK për trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë që sipas tij ka marrë vendim të paligjshëm në Dhomën e Këshillimit për të dënuarin Alfred Shkurti.
Gjithashtu është depozituar ankesë në ILD për shkelje të ushtrimit të detyrës pasi nuk është zbatuar Vendimi nr 27 i vitit 2017 i Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese dhe nëse ajo nuk e merr në shqyrtim do i drejtohen Strasburgut.
Seanca e planifikuar këtë të premte është shtyrë për arsye se administrata e burgjeve nuk i ka vënë palës mbrojtëse vlerësimin për Aldo Baren, atë e disponon aktualisht vetëm Gjykata.
“Jemi paraqitur në Gjykatën e Elbasanit pasi i mbrojturi prej meje ka paraqitur kërkesa për ulje dënimi për vitet kalendarike 2014-2021, kërkesa këto të karakterit administrativo-penal dhe që referohen dhe bazohen në bazë të ligjit për trajtimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve të dënuar me vendim të formës së prerë kemi kërkuar ulje të dënimit në gjykatën e Elbasanit pasi kompetenca territoriale është e kësaj gjykate pasi dhe vetë i mbrojturi prej meje ndodhet i izoluar në ambientet e IEVP Peqin, burg i sigurisë së lartë. Sot u zhvillua seanca e radhës, përkatësisht për vitet kalendarike 2017 dhe 2020 dhe me kërkesën tonë u shty seanca e radhës për t’u njohur me vlerësimin e sjelljes, provë e paraqitur nga IEVP Peqin.
Ne kemi kërkuar muaj përpara për t’u njohur me këto prova, por nuk na janë vënë në dispozicion nga ana e administratës së burgut, në vlerësimin tonë të padrejtë.
Duke marrë shkas që ne nuk kishim dijeni për këto prova të sjella sot, kemi kërkuar shtyrjen dhe zhvillimin në një datë tjetër të seancës.
Në datën 22 dhjetor 2022 nga Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi pa prezencë të palëve është marrë një vendim absurd juridik, sepse është shkelmuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2017 që urdhëronte Gjykatën e Lartë të merrte në shqyrtim dhe njëherë këtë çështjes duke mos i mohuar të drejtën palëve për t’u përfaqësuar dhe bërë një mbrojtje. Është përdhosur një vendim duke bërë një puç kushtetues sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte që detyrojnë çdo gjykatë t’i zbatojë.
Trupa gjyqësore që nuk kishte as kualifikimin e duhur për këtë çështjes, pasi dy prej anëtarëve nuk kanë pasur specializimin e duhur dhe në një hark kohor të shkurtër kanë lënë në fuqi vendimin kapital.
Ne do të ndërmarrim hapat tona të nevojshëm për ta goditur këtë akt pranë Gjykatës Kushtetuese duke informuar dhe ILD, duke referuar dhe kërkuar hetim disiplinor për këtë çështjes që kanë bërë gjyqtarët për çështjen në fjalë.
Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut”, deklaroi avokati i Aldo Bares.