Ishte vetëm një miqësore, por ndeshja Partizani-By lisi, e luajtur në Pogradec, prodhoi momente të shumta pikante.
*Trajneri Beqiri i thotë me shaka kapitenit Trumci: “O Trumci a e zgjodhe ti anën e fushës, se ata morën edhe fushën edhe topin”. Më pas nuk i kursen të qeshurat.
*Cvetanoski mundohet t’i marrë penallti një prej mbrojtësve të Bylisit, trajneri ballshiot dëgjohet të thotë: “Mos ja prano kontaktin, ai e tenton dhe ti e shmang”.
*Gjyqtari anësor Bariokels Hamzaj, i cili është nga Korça, kishte zgjedhur të vinte nga qyteti fqinj me biçikletë, rrugë të cilën e përshkon shpesh duke e shikuar edhe si një sport në mënyrë që të mbajë trupin në formë. Ai udhëtoi rreth 40 kilometra për të ardhur në stadium.
*”Sota më shpejt, më shpejt! Hajde Bitri avanco përpara”, dëgjohet të shprehet Mehmeti, i cili kërkon të luhet më shpejt dhe mbrojtësit të avancojnë më shumë drejt gjysmëfushës së Bylisit.
*Përplasja mes Telushit dhe Fall për pak sa nuk përfundon në konfrontim fizik, ku lojtarët janë gati për të përdorur duart, por ndërhyjnë shokët e skuadrës dhe gjyqtari. Kapiteni i kuq ndëshkohet me karton të verdhë.
*Në fillim të lojës më i acaruar dukej trajneri Beqiri, i cili në ndonjë aksion të gabuar kthehej nga stoli dhe i drejtohej stafit duke “ironizuar” lojtarët e tij. Më pas, kur Bylisi nis të zhvillojë lojë Beqiri i jep zemër të tijve duke i motivuar.
*Pas minutës të 35-të Mehmeti nis të ngrihet nga stoli dhe të ngrejë tonet duke kritikuar të tijtë me ton të lartë.
*Pjesa e parë u luajt me topat e Partizanit, ndërsa në të dytën trajneri Beqiri u kërkon të tijve që të luhet me topat që disponon skuadra e tij. Të gjitha sferat janë të një prodhuesi dhe klubeve ua shpërndan FSHF-ja, çka do të thotë se nuk ka shumë diferenca.
*Mehmeti shihet i irrituar në të dytën me njërin prej gjyqtarëve anësorë, ku thotë: “Booo, i ngeli flamuri lart këtij, na çmendi”.
*Ka duartrokitje në tribunë kur në fushë hyn pogradecari Marin Abazaj, i cili këtë sezon luan për Bylisin. *Në 50 minuta lojë, Skuka kapet pesë herë në pozicion të parregullt. Mbrojtësit e Bylisit u koordinuan në perfeksion.
*Beqiri, në superformë me batutat e tij sot. Në një moment faulli ai shprehet me fjalët: “Po edhe do të vriten nga pak (lojtarët), se nuk jemi në koncert këtu”.
*Duartrokitje nga tribuna edhe për pogradecarin Dragoj kur futet në lojë. Këtë sezon ai do të luajë me Partizanin. E njëjta gjë ndodh edhe me Pengun, një tjetër lojtar nga qyteti liqenor. Sa shumë pogradecarë në këtë sfidë! Maçolli, Abazaj dhe Pengu për Bylisin e në anën tjetër Dragoj për Partizanin.
*Partizani i aktivizon të tre portierët me nga 30 minuta, duke dhënë sinjalin e qartë se titullari i kuadratit nuk është vendosur ende mes Teqjes, Hoxhës e Rexhepit.
*Përplasje mes Rexhepit dhe Kastratit në kufijtë e zonës. Lojtari i Bylisit dëmtohet, teksa mjekët e Partizanit asistojnë kolegët e Bylisit në trajtimin e tij.
* Shiritin e kapitenit e mban Bruno Telushi. Edhe pas hyrjes së Alban Hoxhës në lojë, shiritin e mban vlonjati. *Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, është parë shumë i zhgënjyer pas ndeshjes. Ndërkohë që të gjithë kishin hyrë në dhomat e zhveshjes, trajneri nuk është çuar nga stoli dhe ka qëndruar i ulur, dukshëm i mërzitur, për rreth 25 minuta pas ndeshjes.
-Arena e Lajmit