Miqësorja Erzeni-Tirana pati një moment të veçantë, pasi për shkak të keqkuptimit të lojtarëve dhe mungesës së vëmendjes nga arbitrat, u luajt me shijakasit me 12 lojtarë në fushë për rreth 1 minutë. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e testit të së shtunës në Shijak.
* Në stadiumin “Tofik Jashari” kanë qenë të pranishëm rreth 500 tifozë për të ndjekur këtë takim miqësor.
* Në tribunën VIP pranë donatorëve të KF Erzeni, u pa edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili.
* Në pjesën e dytë, Erzeni luajti për 50 sekonda me 12 lojtarë në fushë. Një situatë sa qesharake aq edhe e çuditshme, pasi arbitrat nuk vunë re që gjatë zëvendësimeve doli një lojtar dhe u futën menjëherë dy të tjerë nga ekipi i Erzenit. Kjo shkaktoi humor në tribuna dhe pankinë, por gjithçka u zgjidh shpejt.
Ka qenë minuta e 75-të, kur u aktivizuan për shijakasit Troplini dhe Doksani. Mirëpo, nga fusha e lojës doli vetëm mbrojtësi Iljazi, në një kohë që mbrojtësi Gëzim Krasniqi që ishte lojtari i dytë që duhet të zëvendësohej, nuk e kishte kuptuar mirë sinjalizimin dhe qëndroi në fushë. Menjëherë u fut në fushë edhe Bejzade dhe nga loja doli Mehmeti.
Krasniqi mbeti sërish në lojë dhe ajo vijoi për gati 1 minutë. Ndërrimi nuk u kuptua nga qendërmbrojtësi, pavarësisht thirrjeve të trajnerit Xhevahir Kapllani nga stoli. Një harresë e mbrojtësit, që sigurisht u kalua me nota humori, pasi zëvendësimet kanë qenë të shumta. Në këtë moment, gjatë daljes nga fusha, Krasniqi u duartrokit nga tifozët për paraqitjen pozitive.
Arena e Lajmit