Armando Broja kishte një vizitor shumë të veçantë sot në stërvitjen me skuadrën e Çelsit. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare sot ka pasur një vëzhgues në stërvitjen që u krye në qendrën stërvitore të Kobham ku përgatiten londinezët, pasi sot ekipin e ka parë nga afër trajneri i përfaqësueses së Anglisë.
Garet Sauthgejt ka qenë sot në kompleksin e bluve për të ndjekur stërvitjen, siç bën herë pas here për t’u përditësuar me gjendjen e lojtarëve dhe me regjimin e tyre stërvitor në klubet përkatëse. Sot kjo ishte një vizitë pune, duke pasur parasysh se pak javë ndajnë nga ndeshjet që mbeten në Ligën e Kombeve. ai ka takuar trajnerin Tuhel, e sigurisht me radhë edhe lojtarët, mes të cilëve edhe Brojën.
Ky i fundit vazhdon të stërvitet rregullisht me ekipin e parë të Çelsit, që nuk duket se ka ndër mend ta lejojë të largohet sulmuesin e përfaqësueses shqiptare në merkaton e verës, pavarësisht ofertave për të. Me largimin e Verner, Broja ka një rival më pak për një vend në fushën e lojës dhe pritet të ketë minuta vazhdimisht nën drejtimin e Tomas Tuhel.
Arena e Lajmit