Jeton Beqiri largohet nga drejtimi i Bylisit dhe në vend të tij emërohet Arian Bellai. Ky ishte lajmi befasues i paradites së djeshme në klubin ballshiot, për më tepër vetëm 7 ditë para startit të kampionatit.
U mendua se Beqiri e pësoi si Dritan Mehmeti te Partizani, duke u larguar nga Bylisi pas humbjes në miqësoren ndaj Tiranës 1-3, por burime të “Panorama Sport” në klubin ballshiot tregojnë të kundërtën.
Gjithçka ka qenë e mirëmenduar dhe me një pakt xhentëlmenësh mes vetë presidentit Besnik Kapllanaj dhe tetovarit që riktheu Bylisin në elitë.
Trajneri 42-vjeçar mësohet se një ofertë joshëse nga liga e dytë në Arabi dhe negociatat i ka nisur që në muajin maj, duke vendosur në dijeni edhe Kapllanajn.
Mirëpo, konkretizimi zgjati dhe vetëm javën e kaluar, Beqiri mori OK-in nga klubi arab. Kësisoj, në mirëkuptim me Kapllanajn, u zgjidh kontrata me marrëveshje.
Beqiri do të jetë në Ballsh deri në fundjavë, duke ndihmuar sadopak edhe trajnerin e ri, Bellai. Ish-mesfushori i Kombëtares vjen pas një eksperience të suksesshme në Greqi nën drejtimin e skuadrave si Apollon Larisa dhe Kallamata.
Me të parën iu afrua ngjitjes në Superligën greke në sezonin 2019-2020, ndërsa deri në muajin mars të këtij viti ka qenë në krye të Kallamatës, një klub me emër në shtetin fqinj. Bellai e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2013 te skuadra e vendlindjes, Luftëtari.
Më pas FSHF-ja e emëroi në krye të Kombëtares U-19, ku qëndroi për rreth 2 vite. Sot gjirokastriti do të bëjë prezantimin në Ballsh, ndërsa me vete ka marrë edhe një ndihmës nga Greqia, pikërisht Konstantinos Mihailidhis, i cili ka qenë deri pak kohë më parë në stafin e Skoda Ksanthit.
Ky i fundit do të bëjë njëkohësisht edhe rolin e përgatitësit atletik. Debutimi i Bellait është të dielën në Ballsh kundër Kastriotit.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ Bylisit i ikën trajneri një javë para startit të kampionatit, ja kush pritet të drejtojë ballshiotët