Arian Bellai është zyrtarisht trajner i Bylisit. 51-vjeçari ka marrë drejtimin e ballshiotëve, pas largimit të Jeton Beqirit 1 javë para startit të Superiores.
Ish-mesfushori i Kombëtares vjen pas një eksperience të suksesshme në Greqi nën drejtimin e skuadrave si Apollon Larisa dhe Kallamata. Me të parën iu afrua ngjitjes në Superligën greke në sezonin 2019-2020, ndërsa deri në muajin mars të këtij viti ka qenë në krye të Kallamatës, një klub me emër në shtetin fqinj. Bellai e ka nisur karrierën si trajner në vitin 2013 te skuadra e vendlindjes, Luftëtari. Më pas FSHF-ja e emëroi në krye të Kombëtares U-19, ku qëndroi për rreth 2 vite.
Sot gjirokastriti bëri prezantimin në Ballsh, ndërsa me vete ka marrë edhe një ndihmës nga Greqia, pikërisht Konstantinos Mihailidhis, i cili ka qenë deri pak kohë më parë në stafin e Skoda Ksanthit.
“Dua t’u përshëndes të gjithëve juve djemve që ju kam përballë. Uroj të kemi shëndet dhe mendjen te puna, pasi vetëm ajo të nxjerr faqebardhë. Dua të falënderoj presidentin për zgjedhjen time si trajner i Bylisit. Njihemi prej vitesh dhe kemi folur shpesh bashkë. E njoh mirë politikën dhe projektin e klubit, ndaj vendosëm menjëherë të vijmë këtu. Kam një ide për çdonjërin prej futbollistëve, por kjo nuk mjafton, pasi duke punuar do të zbulojmë më shumë”, u shpreh Bellai gjatë prezantimit.
I pranishëm në preznatimin e trajnerit të ri ishte dhe Jeton Beqiri, i cili do të vijojë karrierën në Arabinë Saudite. “Kam kaluar një periudhë të jashtëzakonshme këtu dhe kemi bërë shumë mirë. Më duhet të falënderoj presidentin Kapllanaj dhe të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar këtu. Klubit i uroj sa më shumë suksese në të ardhmen”, u shpreh Beqiri.
Arena e Lajmit