Flamurtari, në krizë goli. Vlonjatët këtë sezon kanë objektiv madhor ngjitjen në Superiore, por nëse kampionati do të niste dy javë më parë, në 30 korrik, kur u luajt testi i parë miqësor e që u pasua edhe nga tre të tjerë, misioni dukshëm do të vendosej në pikëpyetje.
Në katër takime të luajtura gjatë kësaj faze përgatitore, nëse u referohemi statistikave ato janë shumë të dobëta. Janë shënuar vetëm 6 gola, dy fitore dhe dy barazime. Çka do të thotë se në 4 ndeshje miqësore Flamurtari ka grumbulluar vetëm 8 pikë. Nëse kampionati do të kishte filluar më 30 korrik, do të ishte një nisje jo e mbarë për vlonjatët, që me këto shkëndija që po japin, nëse vazhdojnë kështu dhe nëse nuk ndërhyhet në merkato, do ta kenë tejet të vështirë të prekin elitën në vitin 2023.
Themi kështu, pasi janë ndeshur me rivalë të Kategorisë së Parë dhe do të jenë përballë një gare të ashpër. Për fat të vlonjatëve siç duket kundërshtarët në këto miqësore i ka ‘hipnotizuar’ vetëm emri i Flamurtarit. Ekipi prodhon pa fund, por shpërdoron shumë. Kur kanë mbetur dy javë nga mbyllja e merkatos, kuqezinjtë duhet të rregullojnë në mënyrë urgjente këtë mangësi të madhe.
MERKATO- Nisur nga kjo paraqitje e ekipit në katër testet miqësore, që për hir të së vërtetës prodhon, por i mungon finalizimi, në klub janë alarmuar dhe janë vënë në lëvizje për të gjetur dy sulmues që të japin garanci për të ardhmen. Kjo lëvizje vjen për shkak se skuadra aktuale nuk “ngroh” shumë.
Burime zyrtare pranë drejtuesve të Flamurtarit, konfirmojnë për “Panorama Sport” këtë shqetësim, por thonë se po punojnë për të afruar dy sulmues të tjerë. Tregu i huaj dominon më shumë. Bisedime pati edhe me lojtarë të Superiores, por “pazari” i tyre ishte i shtrenjtë. Në klub nuk kursehen, por thonë se këta lojtarë nuk vlejnë aq sa kërkojnë. Brazili dhe Bregu i Fildishtë po shikohen si treg përforcimi.
– Arena e Lajmit