Masimiliano Alegri, edhe pse kishte këmbëngulur për Alvaro Moratën si sulmuesin e duhur për të përforcuar repartin, do të duhet të kënaqet me një profil ndryshe nga spanjolli, për nga fiziku dhe cilësitë. Por pavarësisht kësaj, të dy ngjasojnë për nga mënyra si imponohen në lojë, duke zgjedhur t’i drejtohen qendrës nga krahu i majtë për të shfrytëzuar këmbën e tyre të preferuar: të djathtën.
Holandezi ka shënuar 12 gola në La Ligën e sezonit të shkuar dhe 2 në Europa League, ndërkohë që janë 9 golat e spanjollit me Juventusin në Serinë A dhe 2 në Champions, diçka që konfirmon se edhe Depai ka të njëjtën dashuri për skenat e mëdha dhe mund të jetë një armë shtesë me mënyrën si e interpreton rolin e tij, ose më mirë të themi rolet.
SULMUES I DYTË – Depai ka treguar se mund të përshtatet mirë në një dyshe ofensive si në 3-5-2 edhe në 4-4-2 apo edhe në tridentin e 4-3-3 ku të jetë ai pika e referimit. Me pak fjalë mund të formojë jo vetëm një çift me Vlahoviçin, por mund të jetë dhe një alternativë ideale për serbin. 28- vjeçari është nga ata që me topin në këmbë synon kundërshtarin duke shfrytëzuar cilësitë e tij teknike dhe forcën që e karakterizon.
Por ajo që ngroh më së shumti Algerin është aftësia e tij për t’u shndërruar nga një sulmues i dytë në qendrën e repartit, duke depërtuar në zonat e ngushta dhe duke e vendosur veten në pozita goditjeje, një nga specialitetet e tij. Në kombëtaren holandeze ka vendosur jo pak herë ndeshjen nga goditjet standarde, një burim i nevojshëm golash edhe për bardhezinjtë.
PYKË – Në planet e Juves padyshim që janë edhe ndeshje në të cilat Vlahoviç duhet të pushojë dhe vendin e tij do ta marrë pikërisht Depai. Memfis mund të realizojë si duhet misionin e tij si pykë në 4-3-3-, por që padyshim nuk mund të kërkohet nga ai të ofrojë atë që ofron ish-sulmuesi i Fiorentinës. Më pak centimetra nga ana e holandezit, më pak prezencë e tij në zonën kundërshtare, por një garanci shumë herë më e madhe në regji.
Me të Juventusi siguron një sulmues që më aftësitë e tij mund të manovrojë mes linjave duke favorizuar lëvizjet edhe të shokëve të tij të skuadrës, inkursionet dhe depërtimet mes kundërshtarëve, jo vetëm të sulmuesve të krahut, por edhe të mesfushorëve.
Arena e Lajmit