Liga Angleze e Futbollit ka marrë vendimin zyrtar sa i përket golit që shënoi Uotford në ndeshjen e të martës ndaj Birmingemit. Ndërsa Rei Manaj dhe klubi i tij nuk kishin dyshime se ishte sulmuesi shqiptar ai i cili preku topin për herë të fundit para se të shkonte në rrjetë, kishte dyshime nëse autorësia i shkonte apo jo atij pasi në protokoll shkruhej emri i Ken Sema.
Por Liga e Futbollit Anglez, e cila menaxhon organizimin e Championship, pas rishikimit të pamjeve filmike ka bërë të qartë se devijimi i fundit ishte i Manajt e kështu, ai mund të cilësohet goli i tij i parë në futbollin anglez në ndeshje zyrtare.
“Ai ishte shumë i qartë që në fillim”, tha trajneri Rob Eduards për golin e realizuar nga sulmuesi i kombëtares shqiptare. “Është një shtysë e rëndësishme për të dhe padyshim që ne kemi nevojë për njerëz që të shënojnë gola. Ai është një tjetër lojtar që vjen nga një vend i huaj dhe ne tashmë kemi krijuar një grup konkurrues.
Duhet ta fitosh vendin në ekip dhe duhet ta fitosh duke punuar shumë dhe duke qenë një person i besueshëm dhe një lojtar skuadre. Dhe kur ai hyri në lojë, i tregoi këto gjëra dhe u shpërblye me gol gjithashtu. Jam i lumtur për të, ai duhet të vazhdojë kështu”, tha trajneri për Manajn.
Arena e Lajmit