TIRANË
Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shkatërron kombin shqiptar duke zbatuar platformën e Çubrilloviçit.
Berisha tha jashtë parlamentit ku po mbahet seanca e përbashkët Shqipëri-Kosovë se Rama është njeriu që po shkatërron më shumë se kushdo tjetër, materien, qenien, identitetin kombëtar të shqiptarëve.
“Edi Rama nuk është vetëm vasali i neveritshëm i serbomadhit Vuçiç. Ai është njeriu që po shkatërron më shumë se kushdo tjetër, materien, qenien, identitetin kombëtar të shqiptarëve. Me politikat e tij, ai ka përzënë 27 përqind të popullsisë vetëm drejt BE, pa llogaritur në vendet tjera.
Në këtë kontekst ai meriton urdhrin e artë të Çubrilloviçit, ai ka zbatuar me përpikmëri platformën e tij për dëbimin e shqiptarëve.
Ai është hajduti më i madh i të gjitha kohërave, tejkalon çdo hajni të kryer ndonjëherë, mjafton të kujtoj vjedhjen më të madhe që po bën ndonjëherë, atë të Portit të Durrësit.
Në këto rrethana, sot është një ditë kushtrimi për të gjithë shqiptarët, të qëndrojmë më shumë se kurrë të bashkuar kundër këtij armiku të egër të interesit kombëtar, kundër këtij armiku të egër të qenies kombëtare, kundër këtij armiku që po shpopullon dhe e shndërron Shqipërinë në kombin e gomoneve.
Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë është një kushtrim për shqiptarët: në këmbë, në këmbë, në këmbë”, deklaroi Berisha.
Vaso Čubrilović ka qenë këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Memorandumi i tij “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.