Ka dështuar plani i një 37-vjeçari nga Kamza për të kaluar nga pika kufitare e Muriqanit 20 mijë euro të padeklaruara.
Pas kontrollit që i është bërë në mjetin me të cilin po udhëtonte, janë gjetur të fshehura në një hapësirë të modifikuar sasia e parave. Policia ka nisur procedim në gjendje të lirë për 37-vjeçarin, ndërsa 20 mijë eurot janë sekuestruar.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, si dhe bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin E. M.
Nga kontrolli, shërbimet e Policisë konstatuan një hapësirë të modifikuar, me qëllim fshehjen e shumës 20 000 euro të cilat ky shtetas tentoi t’i kalonte në PKK Muriqan, pa i deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 37 vjeç, banues në Kamëz. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma 20 000 euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.