Instagram dhe Facebook i kanë mbyllur llogarinë në rrjetet sociale, ish-kikbosierit dhe influencerit Andrew Tate për shkak se ai ka shkelur politikat me postimet e tij.
I vetëcilësuar si seksist dhe mizogjenist, Andrew Tate ka shkelur një sërë politikash të platformave sociale që kanë të bëjnë me gjuhën e përdorur.
Tate është cilësuar si kontrovers. Ai u bë fillimisht i njohur pasi mori pjesë në reality show-n Big Brother në Britani, ku u eleminua për shkak se u publikua një video ku ai rrihte një grua.
Që atëherë, ai ka marrë reagime për postimet e tij nëpër mediat sociale, të cilat organizatat kundër abuzimit në familje i kanë quajtur “mizogjini ekstreme”. Ai deklaroi në Twitter në vitin 2017 se gratë duhet të qëndrojnë vetëm në shtëpi dhe duhet të jenë pronë të burrave.
Në podcast-et që publikonte në rrjete sociale, Tate madje fajësonte dhe viktimat që binin pre e përdhunimeve. Sipas tij, ato duhet të mbajnë përgjegjësi që kanë rënë pre e sulmeve.
Këto deklarata sollën reagimin e parë nga Twitter, e cila vendosi t’i mbyllë llogarinë ish-kikboksierit.
Ndërsa në një video në Youtube, ai shprehej hapur që ishte një seksist dhe mizogjen.
“Unë jam realist, dhe kur je realist je seksist” – shprehej tate.
Tate gjithashtu është një mbështetës i “flaktë” i Donald Trump, ku në shumë prej podcast-eve që bënte, shprehte pikëpamjet e tij të krahut të djathtë.
TikTok gjithashtu ka mbyllur llogarinë zyrtare të Tate në platformën e tyre dhe po punon për të hequr përmbajtjen e lidhur me të që shkel politikat. Videot që përdorin hashtags në lidhje me Tate janë parë më shumë se 12.7 miliardë herë.
Arena e Lajmit