Nëse ju hedh një sy lojtarëve që kanë zbritur sot në fushë për Kastriotin në ndeshjen ndaj Bylisit në Ballsh, kuptohet qartë që nuk kanë asnjë të afruar në merkato nga minuta e parë, madje as në stolin e rezervave.
Natyrisht kjo e ka një arsye të fortë dhe lidhet me federimet. “Panorama Sport” zbulon se klubi krutan nuk ka mundur të regjistrojë në sistemin ndërkombëtar (FIFA TMS) futbollistët e afruar, pasi e kanë të bllokuar për momentin. Gjithçka lidhet me një vendim të formës së prerë për gjyqin ndaj ish-mbrojtësit kamerunas, Edi Bojom. Vetëm pasi të shlyhet nga Kastrioti, atëherë do të bëhet e mundur edhe zhbllokimi i sistemit, për t’i hapur rrugën më pas federimeve që duan të bëjnë krutanët.
FIFA ka bllokuar merkaton e krutanëve, por mësohet se klubi ka lëvizur dhe po arrin marrëveshje me kamerunasin, që sistemi të zhbllokohet dhe më pas lojtarët e afruar në këtë periudhë të regjistrohen, për të qenë gati në javën e dytë. Bëhet fjalë për emra si Zajsar Arapi, Kevin Aliaj, Millosh Stojanoviç, Franc Marinaj, Livio Malaj, Xhuljo Mehmeti, Brajan Selmani dhe Martin Prenkoçeviç.
Absurditeti i kësaj situatë është që përveç të tjerash, klubi krutan nuk ka marrë masat pwr të pasur as alternativa nga ekipi i të rinjve e kështu, në pankinë sot është me vetëm 4 lojtarë dhe asnjë prej tyre nuk është portier. Kjo do të thotë se nëse titullari Sali dëmtohet apo ndëshkohet me të kuq, nuk do të ketë zëvendësues të mirëfilltë për të.
Arena e Lajmit