I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Frontline’ me Marsela Karapanço, shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu, ka deklaruar se sulmi i sotëm ndaj “Prestige Resort”, ka si arsye faktin që mediat e “Focus Media Group” kanë denoncuar aferat dhe vjedhjet e qeverisë.
Ai shtoi se në Shqipëri nuk ka mbetur kriminel pa ndërtuar pallate, ndërsa ndaj Prestige nuk janë ndjekur as rregullat dhe as ligjet, duke qenë se është një ndërtim me leje.
Balliu u shpreh se faturën për këtë sulm të paligjshëm do ta paguajnë qytetarët kur kjo çështje të shkojë në gjyq.
“Nuk ka ngelur kriminel pa ndërtuar pallate e rrugë me 30 mln euro kilometri që prishen për 6 muaj. Ç’mund t’i kërkosh një shteti që investohet tek trafikantët, që nuk la bandit e kriminelë në Europë pa e sjellë këtu e pa i bërë deputetë e kryetarë bashkie. Është një njeri i dashuruar me krimin.
Rama në pallate kuptoi që media e lirë kishte informacion e do i bënte transparente pallatet pa leje të miqve të tij. E bëri për ti ndihmuar, pallatet janë blerë. Ata janë miqtë e Ramës, ndërsa ju keni denoncuar aferat e vjedhjet e tij, abuzimet në administratë. Kjo është arsyeja pse për ju nuk ka ligj, VKM, Kushtetutë, keni kërcënuar pushtetin. Rama sot nuk ka hallin e shtetit, por të pushtetit.
Është ai që jep urdhër për këto se ka hallin e pushtetin. Nuk ishte i paligjshëm kur Rama flinte me javë të tëra atje e priste miqtë, kur priteshin të dëmtuarit nga tërmeti dhe afganët.
Rama nuk e ka hallin si duket Shqipëria e shteti që dëmtohet nga të gjitha këto duke qenë se jemi vetëm pak ditë nga Samiti i 6 dhjetorit. Dëmtohet figura dhe ekonomikisht sepse nuk vijnë investime, ndaj gjen këto nga Arabia këtu. Në botë të dekorohesh se denoncon krimin, këtu merr rruspat. Se krimi është vetë qeveria. Nesër në Gjykatë kur të shkojë kjo çështje, do shikohet që s’ka asnjë vendim dhe faturën do ta paguajë shqiptarët, në kurriz e marrin shqiptarët dhe mediat e tjera, pra kjo nuk është një çështje e Hysenbelliut, nga kjo dëmtohemi të gjithë”, tha Balliu.
Arena e Lajmit