Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka vijuar të përgatisë skuadrën e tij për transfertën e parë të sezonit që nuk do të jetë aspak e lehtë.
Katalanasit do të bëjnë vizitë në “Anoeta” ku i pret Sociedadi. Trajneri i Barçës duhet të zgjidhë disa dilema para sfidës, teksa shqetësimi numër një është mungesa e kapitenit Buskets, i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë ndaj Vajekanos. Por Ksavi me sa duket do t’u bëjë dalje edhe dy veteranëve të tjerë, Zhordi Alba e Pike.
Asnjëri prej tyre nuk pritet ta nisë si titullar takimin e nesërm. Lënia jashtë formacioni e Zhordi Albës do të jetë surpriza e madhe e Ksavit, ndonëse tekniku nga Terrasa ka kohë që ka krijuar pikëpyetje rreth mbrojtësit të majtë. Jo më kot ai po kërkon me ngulm afrimin e Markos Alonsos nga Çelsi. Nëse gjithçka do të konfirmohej, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 2020 që Barça do të zbriste në fushë pa këtë treshe.
Arena e Lajmit