Trajneri i Bylisit, Arjan Bellaj, e ka cilësuar suksesin e sotëm ndaj Kastirotit si të rëndëishëm për atë që kërkohet nga klubi. Ai tha për “Oversport” se ekipi kishte bërë atë që duhej në rrugën drejt objektivit që mbetej mbijetesa.
“Si fillim dua të them një bravo dhe komplimente çunave për shpirtin që treguan. Kishim punuar gjatë javës, punuam mbi psikologjinë, ato që thamë i realizuam të gjitha. Kishim durim në qarkullimin e topit dhe vertikalizimin. Në pjesën e dytë me dy gola individuale të Entoni dhe Kaçorrit fituam ndeshjen, kjo është për të gjithë çunat dhe për ne, nisja e mbarë gjysma e punës.
Dominuam ndeshjen dhe në pjesën e dytë pas golit të dytë u mbyllëm pak mbrapa, kishim durim që të mbyllej koha dhe ia dolëm.
Objektivin nuk mund ta flasësh për një ndeshje se janë 35 ndeshje e 35 javë dhe çdo ekip do të ketë ulje dhe ngritjet e veta, E mira është që fituam dhe fituam me lojë të mirë, kjo është kryesorja.
Kushdo që është trajner ka merita dhe profesorit Beiqri ia dhashë meritat kur më prezantoi presidenti, e thashë që nuk kishim kohë. Futëm disa elementë të tjerë, 4-5 cilësi që kërkojmë ne dhe mendoj se ajo ndihmoi shumë, në qarkullim topi që kërkojmë. Jam i kënaqur që arritëm t’i bënim në fushë, pastaj përgatitja që kishte bërë profesor Beqiri i thashë komplimente edhe nga ana e përgatitjes fizike. Është meritë edhe e atij, edhe e imja.
Mua më pëlqen ky kampionat tani, në Greqi ia vlen vetëm Superliga 1, se Superliga 2 është mbrapa. Në Superiore punojnë shumë me infrastrukturën, kishte me bar jeshil. Të gjitha fushat janë të shkëlqyera, mund të luash futboll, jo si në kohët e shkuara ku nuk mund të luajë e bëjë kontroll në fushën e lojës.
Edhe presidenti është me këmbë në tokë, nuk fluturon, mbijetesa është kryesore se ka shumë që luftojnë. Jemi ekip me të rinj, Ballshi ka politikën që luan me të rinj dhe do të mundohemi që të futim të rinj që të fitojnë eksperiencën për qëllimet për të ardhmen. Edhe objektivi im e i presidentit nuk mund të themi që jemi për kampionat, vijmë nga kategoria e dytë dhe sigurisht mbijetesa është e para”, tha Bellaj.
Arena e Lajmit