Gega me kohën kundër, Kukësi me mungesa të rëndësishme ndaj Vllaznisë

Kukësi e nisi me një barazim aventurën e këtij sezoni në Superiore, një rezultat ky që shihet me optimizëm në kampin verilindor.

KUKESI

Edhe pse loja nuk ishte brenda pritshmërive nga të gjithë lojtarët, në Kukës nuk pretendojnë që të shpalosin në javët e para futbollin që pretendojnë, për vetë faktin se gjatë këtij sezoni kanë bërë ndryshime drastike në të gjitha repartet.

Në javët e para skuadra kërkon thjesht rezultatin, me shpresën se me kalimin e kohës do të shkojnë aty ku duhet.

Përballë kishin kampionët në fuqi dhe ekipin për t’u mundur, Tiranën, ndaj për këtë arsye në Kukës e shohin gotën “gjysmë plot”.

Edhe më herët drejtuesit kanë pranuar se do t’u duhet pak kohë për të qenë në maksimumin e tyre.

I rëndësishëm për ekipin ishte fakti që nuk e nisi sezonin me humbje, duke ruajtur në këtë mënyrë edhe trendin pozitiv të ndeshjeve hapëse në shtëpi, ku nuk janë mundur asnjëherë.

SFIDA – Tani që më në fund Gega e provoi skuadrën në një ndeshje zyrtare, sfida mbetet te kolaudimi në kohë i saj, në mënyrë që skuadra të mos kënaqet me vetëm një barazim, qoftë ky edhe ndaj kampionëve në fuqi.

Një tjetër provë “zjarri” është ajo ndaj Vllaznisë këtë fundjavë në transfertë, një kundërshtar direkt sa u përket objektivave që ka klubi kuksian.

Skuadra do të nisë sot edhe përgatitjet për javën anti-Vllaznia, me shkodranët që vijnë të etur për pikën e parë në kampionat, pas humbjes në start ndaj Egnatias.

PROBLEMET – Kukësit nuk po i ndahen problemet me dëmtimet në këtë start kampionati, me Gegën që përpos “stresit” për të integruar afrimet e reja, duhet të mendojë edhe për lojtarët me dëmtime.

Arbër Basha nuk llogaritet deri në dhjetor, ndërsa Shqiprim Taipi me Redon Dragoshin vijojnë të mos jenë ende gati për skuadrën.

Këtyre lojtarëve u është bashkuar edhe mbrojtësi Tarik Isiç, i cili para ndeshjes me bardheblutë ka pësuar një tërheqje dhe mbetet për t’u vlerësuar se sa do të qëndrojë jashtë fushave.

Nga ana tjetër, me shkodranët do të mungojë sulmuesi Kejdi Daci, për shkak të të kuqit që mori me Tiranën, ndërsa shpresohet që të mos ketë dënim edhe nga disiplina.

Me pak fjalë, para sfidës me shkodranët në Kukës nuk janë të plotë, ndonëse gjatë javës mund të ketë rikuperime.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Gega me kohën kundër, Kukësi me mungesa të rëndësishme ndaj Vllaznisë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook