“I lidhur me tokën time, krenar për fanellën e Kombëtares”, debuton Asllani: Tri pikë thelbësore, Interi është e ardhmja ime

Simone Inzagi e kishte rezervuar debutimin e Kristjan Asllanit për ndeshjen e parë në “San Siro” ditën e shtunë, një ditë që do të mbahet mend gjatë nga 20-vjeçari shqiptar.

ASLLANI

“Debutim dhe tri pikë thelbësore”, ka qenë reagimi i tij i parë pas 8 minutave të para me fanellën zikaltër në kampionat, që ishin gjithsesi të mjaftueshme për të thithur ajrin e atmosferës elektrizuese që krijuan tifozët e tij.

Elbasanasi ka qenë po ashtu i zgjedhuri i klubit për numrin e parë të sezonit të “Matchday Programme”, revistës që paraprin ndeshjet e zikaltërve, aty ku ka rrëfyer edhe një herë fillimet, idhujt dhe karrierën e tij të deritanishme, pa harruar lidhjen me qytetin e tij të lindjes.

RRITJA – “Ka shumë njerëz që kanë kontribuar në rritjen time duke më bërë atë që jam sot. Familja ime para së gjithash dhe më pas njerëzit që pata fatin të takoj në fushë, trajnerë si Anderacoli që më kanë dhënë besim dhe mundësi të shpreh talentin, Romanjoli që ishte pikë referimi për mua në skuadër dhe Samir Ujkani që më ndihmoi shumë në çdo gjë. Tani kam fatin të luaj me Brozoviçin, nga i cili mund të mësoj shumë”.

PASIONI – “Besoj se ajo që më dha një shtysë shtesë në karrierën, time ka qenë pasioni me të cilin i kam bërë gjërat gjithmonë dhe që është diçka që të lejon të kapërcesh çdo pengesë për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e tua. Gjithmonë kam punuar shumë dhe vendosmëria më ka ndihmuar të ec përpara duke i marrë gjërat hap pas hapi”.

QYTETET – “Kam lindur në Elbasan në Shqipëri dhe kam një lidhje të fortë me tokën time. Jam shumë krenar për origjinën dhe po ashtu që kam veshur fanellën e Kombëtares shqiptare.

Pastaj jam transferuar me familjen në Itali. Empoli është një qytet shumë i rëndësishëm, kam kaluar 13 vite të jetës sime aty ku jam rritur si njeri dhe si lojtar. Qyteti tjetër që më ka shënjuar është ky ku jam tani, Milano, është e tashmja dhe e ardhmja ime”.

FËMIJËRIA DHE IDHUJT – “Një nga vendet e preferuara të fëmijërisë dhe rinisë sime ishte një fushë futbolli në Buti. Në atë fushë dhe në sheshin kryesor kam kaluar ditë të tëra duke luajtur futboll, topin e kam pasur gjithmonë në këmbë dhe aty të gjithë më njohin duke qenë se kam qenë aty si fëmijë. Në fillim kam menduar për argëtimin, si të gjithë fëmijët që fillojnë të luajnë futboll, pastaj, dalëngadalë, fillova fillimisht të shpresoja e më pas të kuptoja se kjo mund të ishte rruga ime. Unë kurrë nuk kam pasur një idhull, por kam admiruar disa lojtarë për karakterin dhe teknikën e tyre, si Shnajderin e Pirlon. Mësimi më i rëndësishëm që mbaj gjithmonë me vete është të qëndroj i përulur dhe t’i mbaj këmbët fort në tokë”.

INTERI – “Goli më i rëndësishëm për mua ishte ai që shënova në ‘San Siro’ kundër Interit sezonin e kaluar. Ishte goli im i parë dhe i vetëm në Serinë A dhe si i tillë nuk harrohet kurrë.

Tani unë jam pjesë e kësaj skuadre dhe është disi e çuditshme, por ai gol, goditja me të djathtën pas kontrollit të topit të gjatë të Fiamocit, është pjesë e rrugës që më solli deri këtu.

Ndërkohë, me Interin nuk kam gjetur ende golin e parë zyrtar, por ndaj Monakos shënova me të majtën dhe mbi të gjitha mbaj mend reagimin e publikut zikaltër. Si tifoz interist, t’i dëgjoja emrin tim të brohoritur prej tyre, ishte një emocion i madh”.

Përgatiti: NISLI GJINI


“I lidhur me tokën time, krenar për fanellën e Kombëtares”, debuton Asllani: Tri pikë thelbësore, Interi është e ardhmja ime

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook