Në një nga hollet e Parlamentit Britanik që daton nga viti 1707, gjendet një pikturë e madhe murale, që përshkruan një histori të jetuar dikur në vitet e fillimit të punës së këtij institucioni…
– Shkoni te fshatari pronar i këtij çifligu dhe kërkojani që të ma shesë pronën e tij.
Zbresin shoqëruesit, takojnë fshatarin dhe i shprehin kërkesën për t’ia blerë çifligun, pa i thënë se për atë pronë interesohej vetë Mbreti.
Fshatari thjesht dhe drejtpërdrejt përgjigjet: “Ju faleminderit zotërinj, por unë nuk kam pronë për të shitur!”
Kthehen shoqëruesit te Mbreti dhe i përcjellin refuzimin e fshatarit për të shitur pronën e tij. “Mirë, – thotë Mbreti, – shkoni përsëri dhe i thoni se për pronën e tij interesohet ta blejë vetë Mbreti i Anglisë, kështu që ta vendosë çmimin e pronës së vet aq sa do të dojë ai, d.m.th., i ofrojmë një çmim blerjeje mbi kushtet e tregut”.
Shoqëruesit shkojnë përsëri të fshatari, i bëjnë ofertën e re, dhe marrin përgjigjen refuzuese: “Ju faleminderit zotërinj, nuk kam pronë për të shitur me asnjë lloj çmimi as për Mbretin e Anglisë”.
Kthehen shoqëruesit te Mbreti dhe i përcjellin refuzimin e fshatarit për të shitur pronën e tij.
“Mirë, – thotë Mbreti i inatosur nga refuzimi i përsëritur i fshatarit – shkoni përsëri dhe i thoni që do të bënte mirë që të pranonte ofertën e dytë se nëse do të refuzonte përsëri, Mbreti mund të dërgonte ushtrinë dhe ta sekuestronte pronën, d.m.th, t’ia merrte falas fare, pa shpërblim”. Shoqëruesit shkojnë për herë të tretë te fshatari dhe i përcjellin kërcënimin për ta shitur me të mirë pronën, se në të kundërt ai do ta humbiste fare atë…
Pa u menduar dy herë, fshatari dha këtë përgjigje që ka zënë vend në shekujt që pasuan për ligjërimin dhe shenjtërimin e pronës private kudo në botën e qytetëruar:
“Do ta sekuestrojë?! E punë e madhe, do ta çoj çështjen në Gjykatë”…
Historia thotë se mbasi mori këtë përgjigje nga fshatari, Mbreti hoqi dorë nga ambicia për ta zotëruar me çdo çmim çifligun në fjalë sepse do të ishte një çështje gjyqësore e humbur duke thënë:
“Sot është dita më e lumtur e jetës sime, kuptova se sundoj një vend ku qytetarët besojnë më shumë te drejtësia sesa te Mbreti”.
Kjo histori e treguar dhjetëra herë më është kujtuar sa herë që pushteti ynë tregon verbërinë e vet karakteristike përballë qytetarëve të pambrojtur nga një drejtësi e çalë, e korruptuar dhe politikisht e kontrolluar… Sidomos më është kujtuar, p.sh. kur qeveria vendosi t’u marrë tokat bujqësore në bregdet atyre që ua kishin lënë gjyshërit, ua kishte kthyer Gjykata, madje edhe i kishte pajisë me dokumentacion sipas ligjit 7501 të vitit 1991, për t’ua dhënë falas oligarkëve, miqve vendas e të huaj të Kryeministrit apo familjarëve të anëtarëve të kabinetit të tij. Më është kujtuar kjo histori domethënëse kur nën “kujdesin” e mbulimin propagandistik të Bashkisë së Tiranës qeveria vendosi t’u marrë përdhunshëm tokën dhe trojet e banimit banorëve të ‘5 Majit’ në Tiranë, toka dhe troje të blera dhe të regjistruara në hipotekë, në proces legalizimi apo thjesht të zëna prej 30 vitesh për t’ua dhënë me “negocim” jotransparent oligarkëve, miqve të pushtetit apo edhe eksponentëve emblematikë të krimit të organizuar vendas dhe ndërkombëtar për të ndërtuar kulla duke investuar e shtuar paratë e tyre në dëm banorëve të ligjshëm.
Historia që ritregova më sipër m’u kujtua edhe në mbarim të verës që shkoi dhe para tri ditëve kur fadromat e IKMT iu turrën si hiena një biznesi privat (‘Prestige Resport’), ndoshta të diskutueshëm që në gjenezë, por që për ironi të fatit ishte i pajisur me dokumentacionin e nevojshëm dhe për vendimmarrjen finale, mbi të cilën mund të kishte vetëm gjykata…
Në fund kam një pikëpyetje që nuk arrij t’i gjej dot argument: në cilin vullnet, nen të Kushtetutës, ligj apo akt individual të pushtetit e gjejnë mbështetjen vendimmarrje të tilla për shkatërrimin fizik të një prone/biznesi funksional? Sepse për cilindo që njeh vetëm abc-në e ekonomisë e di që për shkatërrimin fizik d.m.th. hedhjen në erë, duhen shkaqe ligjore përtej pronësisë, burimit të financimit, vend-ndodhjes, etj. D.m.th., duhet të ketë një interes madhor publik që justifikon ndërhyrjen, një vendimmarrje të certifikuar institucionale, e cila në çdo rast kulmon me gjykatën dhe nëse rrethanat e vendndodhjes e lejojnë, në rastin më të keq prona, e pashkatërruar dhe funksionale, do të kalonte në favor të shtetit. Pak a shumë siç thotë edhe Akti Normativ shumë i debatueshem i po kësaj qeverie përpara disa muajve?
Vështirë të gjenden argumente formale logjike për zellin e veprimit të instancave shtetërore siç është IKMT, edhe pse fatet personale të zyrtarëve të llojit “besnikë të verbër” që i binden individit dhe jo ligjit, shtetit të së drejtës, siç ka treguar të paktën dekada e fundit, “…mbajnë përgjegjësi individuale kur dëmtojnë publikun ose palë të treta…”.
Se në fund të fundit, siç tregoi edhe shkatërrimi i një prone private në Ujë të Ftohtë në Vlorë disa vite më parë apo çështja Becheeti, në çdo rast janë taksapaguesit fatkëqij të këtij vendi që paguajnë faturat e shtrenjta të marrëzisë pushtetërore të radhës… Shkurt, nuk jemi vetëm 200 vjet anash Europës, jemi edhe 500 vjet mbrapa me mentalitetin perandorak të atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit. Keqardhje për Atdheun tim të keqqeverisur!
*Autori Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)