Ish-presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 ka folur mbi dhunën ndaj Berishës ditën e sotme në protestën e opozitës teksa deklaroi se për agresorin i cili goditi Berishën ka disa variante.
Sipas tij një prej varianteve pas të cilit mund të fshihet e vërteta është se agresori mund të jetë edhe një njeri i shërbimeve të huaja, pasi sipas Topit Tirana përbën një terren të përshtatshëm për shërbimet e huaja jo partnere.
Sakaq, ai bëri thirrje për një hetim të hollësishëm sidomos në momentin kur në vend ndodhin dy ngjarje të rëndësive të mëdha si samiti dhe dhunimi i liderit historik të Partisë Demokratike gjatë një proteste.
“Një variant është ai që qarkullon, një variant thotë që është një njeri i futur. Është një njeri që na bën të mendojmë se mund të jetë edhe njeri i shërbimeve.
E kam thënë dhe herë tjetër, nuk ka terren më të përshtatshëm se sa Tirana për shërbimet e huaja, jo partnere. Në këtë terren kaq liberal mos u habisni. Në momentin kur zhvillohet një samit kaq i rëndësishëm, dhe nga ana tjetër dhunohet lideri historik i Partisë Demokratike, kjo kërkon një skaner të fortë hetimi”, tha Topi.