Dumfris, sulmuesi i fshehtë i Inzagit/ Gola dhe thellësi, raketa holandeze është më i shpejti i skuadrës zikaltër

Simone Inzagi ka kërkuar me ngulm gjatë kësaj vere që Denzel Dumfris të mos jetë pjesë e merkatos në dalje të Interit. Holandezi ka vlerësimin e trajnerit dhe ambientit zikaltër, jo vetëm për rritjen eksponenciale që ka pësuar pas vetëm një sezoni me fanellën e italianëve, por për atë që sjell në të gjitha repartet.

DUMFRIS

Ish-lojtari i PSV Eindhovenit sot pozicionohet në krahun e djathtë të 3-5-2 të Inzagit, por nga ajo që është parë në ndeshjen e fundit ndaj Specias, me të në fushë zikaltrit kanë një sulmues të shtuar. Tri herë e ka goditur portën Dumfris ndaj bardhezinjve dhe më mirë se ai ka bërë vetëm Lautaro që e ka shënjestruar atë 4 herë, numra të përafërt mes një sulmuesi dhe një mesfushori krahu që tregojnë shumë mbi cilësitë e holandezit.

Këtë e ka konfirmuar edhe perimetri të cilin 25-vjeçari ka përshkuar, pasi sidomos në pjesën e parë ka qenë gjithmonë i pranishëm në zonën kundërshtare, i vendosur praktikisht në linjën e Lautaros, pas Lukakut duke formuar thuajse një trident sulmues.

SHIFRAT – Në mbështetje të rolit të avancuar të Dumfrisit ka të tjera shifra. Kur është fjala për treguesin e thellësisë që llogaritet me numrin e herëve që një lojtar ka arritur të thyejë linjën mbrojtëse të kundërshtarëve, Denzel është i pari i zikaltërve dhe ka arritur ta bëjë këtë 6 herë, ndërsa pranë tij është vetëm Lautaro me 5. Domethënës është ndërkohë edhe kontributi në nivel atletik. 11.1 kilometrat e tij për ndeshje e rendisin vetëm pas Brozoviçit e Barelës, maratonomakëve të ekipit. Por pavarësisht sasisë, Dumfris është ai që i përshkon ato me shpejtësinë më të madhe.

Sprintet e holandezit mbërrijnë në 33.7 kilometra në orë, duke e bërë atë të pakapashëm në korsinë e djathtë dhe një aset për aksionet sulmuese të Inzagit.

Të mos harrojmë se raketa Dumfris nuk fal as kur bëhet fjalë për të dërguar topin në rrjetë, pasi ishte ai që i dha tri pikët aq të vyera Interit në minutën e fundit ndaj Leçes. Panorama për Inzagin është e qartë: falë saktësisë dhe karakteristikave, me Dumfrisin ka një as nën mëngë kur është fjala për sulmin.

Përgatiti: NISLI GJINI  – Arena e Lajmit


Dumfris, sulmuesi i fshehtë i Inzagit/ Gola dhe thellësi, raketa holandeze është më i shpejti i skuadrës zikaltër

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook