Redon Xhixha është ylli i ri i Tiranës. Lojtari bardheblu që ka dy sezone te Tirana, pas ikjes së Taulant Seferit është lojtari kryesor i sulmit. Ama kreun e golashënuesit Xhixha e ka marrë edhe më parë, pa ikur Seferi. Mjafton të shohësh që në 11 ndeshjet e Tiranës në Europë, Xhixha ka shënuar gjashtë gola.
Me golin në Kukës, Xhixha ka shënuar katër ndeshjet e fundit të Tiranës. Një në Europë, një në kampionat dhe dy në ndeshjet miqësore. Shkurt, gjashtë gola. Xhixha nuk ka shënuar në miqësoret me Shkupin, FC Hermanshtad, Fenerbahçen, si dhe në dy takimet me Dudelanzhin dhe Zrinjskin sepse ishte me COVID. Gjithsesi, tani Xhixha është lideri i kësaj skuadre dhe shenjat për golat janë shumë të mira.
QENDËRSULMUES – Tirana do të luajë me qendërsulmues Xhixhën dhe një sulm ndryshe nga tani e në vazhdim. Sulmuesi ka kohë që po stërvitet për majën e repartit të avancuar dhe në miqësore ka bërë shumë mirë. Tani në ndeshjet zyrtare Xhixha do të tregojë fuqinë në fushën e lojës.
SEZONI 1 – Ish-sulmuesi i Laçit erdhi te Tirana dhe që në kampionatin e parë e ngriti në katedër. Xhixha deri tani ka shënuar 14 gola, duke kaluar rekordin personal. 2177 minuta dhe 29 takime nga 26 që ka luajtur si titullar sezonin që lamë pas, Redon Xhixha.
LARGIMI – Dy golat e Redon Xhixhës në Europë kanë zgjuar interesin e klubeve turke dhe oferta e parë mësohet se ka ardhur nga Boluspori. Turqit kanë vënë në pjatë 150 mijë euro për kartonin e tij, por ashtu si edhe në rastin e Seferit, Halili ka refuzuar.
Mësohet se presidenti i bardhebluve u ka bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për më pak se 250 mijë euro për kartonin. Kujtojmë që 64 gola ka shënuar këtë sezon që lamë pas ekipi i Tiranës. Bardheblutë janë gjithashtu edhe skuadra që ka pësuar më pak gola këtë kampionat. 24-vjeçari Xhixha realizoi 14 gola sezonin e shkuar dhe vazhdimisht ka pasur klube të interesuara për të, por oferta zyrtare deri tani ka ardhur vetëm nga turqit.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit