Shkëputje nga futbolli dhe “kunj” Idrizit, Franc Veliu: Edhe Mançesteri ka problem golin, presidentët mos ta ulin pjacën

Franc Veliu shkëputet nga futbolli. Është vetë mbrojtësi që zbulon vendimin që ka marrë, gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ai shpjegon se pauza do të jetë e përkohshme dhe për arsye personale, pasi në janar do të rikthehet në fushë. Edhe pse nuk shprehet drejtpërdrejtë, ish-kapiteni i lëshon një “kunj” edhe Sinan Idrizit.

FRANC VELIU

Ai këshillon administratorin që të mos e ulë pjacën, në përgjigje të asaj që kreu i klubit deklaroi pak kohë më parë. 33-vjeçari nuk e quan shqetësues problemin që ka me golin Flamurtari, ndërsa kujton që këtë krizë po e kalon edhe Juventusi me Mançesterin. Beson te ngjitja në elitë, përtej vështirësive që e presin gjatë garës.

Është folur shumë për një rikthim të Veliut te Flamurtari. Vendosët për të ardhmen.

Për momentin jam në pauzë për arsye personale. Ndoshta nuk do të jem pjesë e asnjë ekipi këtë fazë…

Nuk mund të flasim për ndonjë rikthim në shtëpi?

Mund të kem një pauzë të vogël për arsye personale. Flamurtarit i uroj vetëm suksese. Kam edhe një këshillë për drejtuesit e klubit. Mos ta ulin kurrë “pjacën”, të rrinë aty ku meritojnë të jenë…

Kuqezinjtë janë në krizë goli, kanë vuajtur gjatë ndeshjeve miqësore. Mendoni se është shqetësim ky fakt?

Problem me golin ka edhe Juventusi me Mançesterin, kështu që nuk do të shprehesha në këtë mënyrë. Nuk e shikoj këtë ndonjë shqetësim të madh. Flamurtari ka dy sulmues cilësorë siç janë Andi Ribaj e Gersi Diamanti dhe mungesa e tyre në lojë ka bërë të vetën. Ndaj mendoj që në këto teste ka ndikuar më shumë mungesa e këtyre dy lojtarëve që kanë qenë të dëmtuar. Ata janë futbollistët kryesorë për skuadrën dhe i bëjnë shumë punë.

Keni një vlerësim për merkaton e deritanishme të Flamurtarit?

Si çdo fillim kampionati afrimet janë të domosdoshme. Mendoj se janë afrime që do ta ndihmojnë Flamurtarin në objektivin madhor. Besoj se i duhen. Edhe me pak përforcime të tjera aty ku i shikojnë të arsyeshme se duhen, mendoj se do të jenë në rrugën e duhur.

Ruajtja e grupit të sezonit të shkuar ishte gjëja e duhur?

Patjetër që pas një kampionati të vështirë në Kategorinë e Dytë, ishte e nevojshme ruajtja e grupit, sepse mbi të gjitha ata janë lojtarë cilësorë dhe me shumë eksperiencë. Kjo gjë do t’i ndihmojë shumë për vazhdimësinë. Në këto kushte ka bërë gjënë e duhur. Janë lojtarë që e njohin mentalitetin e futbollit në Shqipëri, po ashtu njohin edhe shumë mirë kampionatin, Kategorinë e Parë dhe Superioren.

Me garën që do të jetë e vështirë, mendoni se vihet në pikëpyetje misioni “Superiore”?

Për hir të së vërtetës, të jemi të sinqertë, gara është shumë e fortë. Unë kam besim te ky grup. Lojtarët duan mbështetje dhe qetësi, sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë lidhur me objektivin madhor.

– Arena e Lajmit


Shkëputje nga futbolli dhe “kunj” Idrizit, Franc Veliu: Edhe Mançesteri ka problem golin, presidentët mos ta ulin pjacën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook