Dilemat për sulmin e Kukësit, Gega pritet të ndërrojë skemë në duelin ndaj Vllaznisë

Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të ketë me Vllazninë të dielën në “Loro Boriçi”.

Foto: F. Hazisllari

Foto: F. Hazisllari

Një përballje e rëndësishme për verilindorët, të cilët synojnë tri pikët e para në kampionat, edhe pse e kanë të qartë që nuk i pret aspak një përballje e lehtë.

Para kësaj sfide, trajneri Gega ka ende shumë dilema në kokën e tij, pasi jo të gjithë lojtarët janë në formën e tyre më të mirë dhe do i duhet të sajojë jo pak formacionin në këtë ndeshje.

Duket se “halli” më i madh është në majën e sulmit, aty ku ka në dispozicion vetëm një lojtar, Ante Zivkoviçin, pasi Kejdi Daci u ndëshkua me karton të kuq ndaj Tiranës dhe do të mungojë këtë javë.

MANOVRAT – Pikërisht fakti që nuk ka mundësi zgjedhjeje në sulm, tekniku është mes dilemës të luajë me kroatin si “pykë” apo të aplikojë “9-sh fals”.

Gjatë përgatitjeje intensive, Zivkoviç nuk ka qenë brenda pritshmërive, ndaj u la në stol ndaj Tiranës.

Për këtë arsye, duke mos pasur garanci, tekniku është i detyruar të ndërrojë skemë dhe në stërvitje ka provuar të luajë pa një sulmues të mirëfilltë, duke mos i dhënë në këtë mënyrë edhe një pikë referimi kundërshtarit.

Në ndeshjen hapëse, kuksianët e nisën me ganezin Eduin Giasin në stol, për shkak se ka pak kohë që stërvitet me ekipin, por ndaj shkodranëve pritet që sulmuesi i krahut të hidhet në fushë nga minuta e parë, për të përfituar sadopak nga cilësitë e tij.

Nga ana tjetër, verilindorët shpresojnë te rikthimi nga problemet me dëmtimet të tre lojtarëve, Shqiprim Taipi, Redon Dragoshi dhe Tarik Isiç, të cilët munguan ndaj kampionëve në start.

Gjithsesi, deri të dielën pritet të shihet se si do t’i rreshtojë Gega të tijtë, i vetëdijshëm që nuk mund t’i lejojnë vetes një hap fals, edhe pse është vetëm java e dytë e kampionatit.

PRESINGU – Arma sekrete dhe më e fortë e verilindorëve përballë Vllaznisë pritet të jetë presingu. Gega ka kërkuar luftëtë fortë sportive në çdo top, sidomos kur e kanë në zotërim kundërshtarët, të cilëve nuk u duhet lënë kohë për të bërë veprimet e tyre.

Për këtë arsye, pritet që mbrojtja të nis nga sulmi, me synimin që ta mbajnë kundërshtarin larg zonës së tyre dhe më pas të përfitojnë sa të munden nga mundësitë që do t’u vijnë lojtarëve në këmbët e tyre.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Dilemat për sulmin e Kukësit, Gega pritet të ndërrojë skemë në duelin ndaj Vllaznisë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook