Ditët e para të dhjetorit 1990 dhe revolta e studentëve ishin një nga ngjarjet më madhore të historisë së Shqipërisë dhe kambana lajmëruese e ndryshimit të sistemit.
Kjo protestë zuri një vend të rëndësishëm dhe në mediat perëndimore, për të cilat Shqipëria ishte hermetike. Zëri i Amerikës përcillte parullat e studentëve dhe situatën në ato ditë në Tiranë, ku ndër të tjera thuhet se konviktet ishin të rrethuara dhe se forcat e sigurimit me mjete të blinduara shtypën demonstratat.
Ndërkaq analisti dhe politologu Afrim Krasniqi i cili ka shpërndarë lajmin në Zërin e Amerikës, shkruan se ishin ditët që ndryshuan Shqipërinë, teksa nuk e kursen një kritikë për ata që ato ditë ishin kundër e sot shkruajnë më shumë.
“VOA 1990, kur raportoi lajmet mbi protestat e 8-9 dhjetorit. Ishin ditët që ndryshuan Shqipërinë. Sot bëjnë statuse personale më shumë ata që ato ditë & dekada ishin kundër 8/12 sesa ajo pakicë rinore që ishte pro, por le ta bëjnë! I kanë marrë të gjitha, le ta marrin edhe 8 dhjetorin. Ky vend ka pasur e ka më shumë histori abuzimi me lirinë sesa respekt ndaj lirisë! Rëndësi ka që 8/12 ua mundësoi lirinë, ua hoqi frikën dhe ua dha mundësinë të mendojnë, ani pse mendjet e mentaliteti janë të tyre. Respekt për 8/12 dhe bashkëmoshatarët që ato ditë, me qytetari, kurajo dhe idealizëm, bënë detyrën e tyre ndaj vendit”, shkruan Krasniqi.