Analiza/ Artur Zheji: Pse Km-së i duhej tritoli ndaj Hysenbelliut?

Prestigi Dhe Zheji

I.

Në 72 orë ndodhi shumëçka në Shqipëri.

U hodh në erë me tritol dhe urrejtje një super Hotel në bregdet (Prestige Resort), u zhvillua një Samit i mrekullueshëm ndërkombëtar në Tiranë dhe unikal në llojin e vet dhe u godit me grusht kreu i Opozitës, Sali Berisha.

Mirëpo pavarësisht se shembja e Resortit, rrëfeu forcë dhe një vullnet të panjohur më parë të Km-së, ngriti sakaq në këmbë edhe Mitin e Parë.

“Më merrni seriozisht, sepse nuk kthehem pas!” shkruhej në kallëpet e tritolit, që hodhi në erë Prestige Resort.

Mirëpo ky “Mit”, u lëkund, sepse, Hysenbelliu reagoi haptas, publikisht dhe personalisht, duke vërtetuar anën e panjohur të këtij veprimi të ashpër: arsyet e forta personale.

U kuptua për të gjithë se diçka e rëndësishme nuk shkon në këtë zell ligj-zbatues të Km-së dhe se opinioni publik shqiptar, rëndom kundër të pasurve dhe sipërmarrësve, doli nga trendi i zakonshëm.

Dhe perceptimi u përmbys!

Populli apo shumica dërmuese e opinionit publik, ndryshe nga çfarë tha retorika qeveritare, kuptoi se Hysenbelliu ishte një viktimë dhe jo një fajtor abuzues!

Hysenbelliu, (i cili bën mirë të flasë më shpesh në vetën e parë) ishte pra, gozhda ku Km-së i kishte ngecur sharra dhe se, Km-së, pas shëmbjes së super hotelit, i ngeli vrima.

Ose me saktë një gropë e paarsyeshme hapur nga tritoli, e cila do të duhet të gëlltisë edhe shumë godina të tjera, nëse Km-ja do të vijojë të rrahë gjoksin si Km-ligjzbatuesi!

Në atë krater që ngeli pas “Prestige”, nuk u varros Hysenbelliu, por Shteti ligjor, i cili, dukshëm: “Ha në kandar pa karar dhe pa barazi!”

Ndërsa ne dimë, se teorikisht të gjithë janë : Të barabartë përpara Ligjit (lexo: Përpara shtetit ligjor!)

Pra “populli” e kuptoi se sharra e Km-së, kish ngecur  keq, në “gozhdën” kokëfortë…

Porse çmimi i paguar, ishte shumë i lartë! Sepse burrnia ka çmim të lartë!

Dhe ky është padyshim rasti.

Sidomos kur në këtë vend, shumica e sipërmarrësve, parapëlqejnë të struken pas shpatullave të gjëra dhe të begata të Km-së.

II.

Fill pas kësaj dhe brenda këtyre 72 orëve mbrriti Samiti i Tiranës për Ballkanin.

Padyshim një super sukses personal i Km-së, i cili do mbahet mend gjatë dhe do ta influencojë popullin.

Këtu Km-ja ngriti Mitin e vet të Dytë, apo, atë të politikanit të përzgjedhur nga Oksidenti, në harkun Uashington-Bruksel. Kush thotë ndryshe, gabon me dashje dhe jo nga budallallëku.

Përqafimi me Presidentin francez Macron, dorështrëngimi me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, buzëqeshja dashamirëse e kryeministres Meloni dhe ngrohtësia e veçantë e Ursula von der Leyen, të gjithë sëbashku në Tiranë, janë përveç të tjerave një operacion spektakolar.

Km-ja, reflektoi përpara opinionit shqiptar, krejt shkëlqimin europian të politikës së tij të jashtme. Kjo është jashtë tashmë çdo mëdyshjeje!

Opozita shqiptare, mund të bëjë sikur nuk e sheh këtë sukses të Km-së, porse suksesi u shfaq hapur te tapeti i kuq i Air Albania-s. Dhe shqiptarët e panë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ky është fakt. (Sikundër ishte fakt vizita madhështore e Presidentit Bush, në Qershor të vitit 2007, pavarsisht se dikush e ka harruar.)

Por, pavarsisht suksesit ndërkombëtar, Samiti europian për Ballkanin, për Km-në, rëndësi parësore kishte jehona ndër shqiptarët që e votojnë dhe të atyre që e refuzojnë.

Dhe kjo u arrit! Madje me të tepërt!

Dhe kështu afërsia e kërkuar e afshit të tritolit shkatërrues ndaj Hysenbelliut dhe spektaklit lluksoz dhe fin, e me afsh parfumesh në Air Albania, bëjnë të qartë edhe njëherë sofistikimin e Km-së dhe skuadrës së tij.

III.

Në kërkim të Mitit të Tretë, Km-ja bëri të qartë mesazhin: “e të Përzgjedhurit nga Oksidenti”.

U duk sikur, kryeministrat e Europës, kishin mbrritur në Tiranë, për të bekuar mirëqeverisjen e Km-së dhe lidershipin e tij.

Perceptimi ishte mbres lënës. Regjia dhe skenografia, po ashtu!

Dhe ky operacion “publicitar”, ishte pak të themi i jashtëzakonshëm, duke patur parasysh Macron-Scholz-Meloni-Von der Leyen dhe të tjerë…

Nga ana tjetër, për fat të keq të saj, Opozita, megjithë protestën plot vullnet të lavdueshëm rrezikoi të ngelej në periferi të vëmendjes publike, po të mos ishte plagosja e dhimbshme e Berishës.

Por forca e pazakontë e Doktorit, për t’u ngritur mbi goditjen dhe për të qenë sërish në krye të Protestës, mbetet një forcë më së shumti individuale, por jo forca e një stuhie opozitare, që është ende larg në horizont.

Dukshëm të rrënjoset bindja, se pushteti që është sot në Pushtet, rrëzohet vetëm së brendëshmi, nga konfliktualiteti trasversal, që i ka dhënë shenjat e krisjes dhe te plasaritjes. Të pazhurmshme, por të dukshme. Pavarsisht suvatimit që mjeshtërisht bëjnë çdo mbrëmje, restauratorët e zyrave përkatëse, mbushur me profesionistë të fushës…

Analiza/ Artur Zheji: Pse Km-së i duhej tritoli ndaj Hysenbelliut?

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook