Një javë përpara se të startojë sezoni i ri futbollistik në Kategorinë e Parë, Flamurtari është në ankth sa u përket dëmtimeve. Tre lojtarë titullarë nuk janë në gjendjen e tyre optimale për të dhënë kontributin për skuadrën që në start.
Bëhet fjalë për kapitenin Andi Ribaj, vlonjatin Gersi Diamanti dhe shkodranin Osli Gocaj. Futbollistët janë të dëmtuar dhe kanë zhvilluar të plotë vetëm gjysmën e fazës përgatitore. Sulmuesi Andi Ribaj ka dëmtuar gjurin.
Kapiteni është në fazë rikuperimi, ku po bën fizioterapi dhe po stërvitet i veçuar nga grupi. Për shkak të dëmtimeve, edhe Gersi Diamanti nuk është në formë të plotë dhe po stërvitet i veçuar. Disi më mirë paraqitet gjendja e Olsi Gocajt, që ka pësuar tërheqje, por gjithsesi nuk është në formën e tij optimale.
Burime pranë klubit konfirmojnë për “Panorama Sport” se lojtarët e dëmtuar duan të paktën një muaj që të marrin formën e duhur për shkak se janë në fazë rikuperimi, por edhe për faktin se nuk kanë ngarkesën e duhur stërvitore e janë pa gjendje fizike. Kjo situatë ka bërë me “dhembje koke” trajnerin Dritan Resuli pak ditë para startit, pavarësisht se dy ndeshjet e para luhen në Vlorë, me Luzin dhe Korabin kundërshtarë të lehtë në letër.
KRIZA – Gjatë kësaj faze përgatitore dhe në ndeshjet miqësore, Flamurtari ka shfaqur një krizë jo të vogël në ofensivë. Në 5 teste miqësore, janë shënuar vetëm 6 gola. Skuadra ka marrë dy fitore, tri barazime dhe me sistem kampionati i bie që të ketë grumbulluar vetëm 9 pikë.
Ndeshja e fundit me Tomorin është mbyllur në barazim pa gola. Miqësoren e parë e kanë zhvilluar me Turbinën në Vlorë, që përfundoi 2-2. Më pas kanë fituar përballjen me Apoloninë në Fier në shifrat 2-1. Miqësorja e kthimit me Turbinën në Cërrik përfundoi në shifrat 1-1, ndërsa takimi me Luzin u mbyll me fitoren 1- 0.
Nëse kampionati do të kishte filluar në këtë fazë, kjo do të ishte një ecuri jo pozitive për skuadrën vlonjate. Duke ditur vështirësitë që paraqet Kategoria e Parë këtë sezon, i bie që Flamurtari duhet të ndërhyjë direkt për të zgjidhur krizën e shënimit të golave.
– Arena e Lajmit