Statistikat interesante të Juventus-Roma/ Murinjo rrezikon një rekord negativ! Dibala, mbreti i golave në “Allianz Stadium”

– Juventusi ka fituar 85 nga 176 sfidat në Serinë A kundër Romës (50 barazime dhe 41 humbje), përfshirë edhe tri të fundit radhazi. Bardhezinjtë shohin te verdhekuqtë viktimën e tyre të preferuar.

JU RO

Juventusi ka fituar 10 nga 11 sfidat në shtëpi kundër Romës, që kur “Allianz Stadium” është inauguruar. Humbja e vetme daton më 1 gusht 2020, 3-1. Dhe pikërisht kundër Romës, Udinezes e Fiorentinës, “Zonja e Vjetër” ka fituar më shumë pikë (30) se ndaj kujtdo tjetër.

Muaji gusht i sjell fat Romës, duke qenë se ajo ka fituar 2 nga tri sfidat e luajtura (1 humbje) në këtë pjesë të vitit: 2-1 në 2015-ën dhe 3-1 në 2020.

Juventusi e ka nisur me fitore këtë sezon, 3-0 ndaj Sasuolos. Ata nuk regjistrojnë dy fitore radhazi në shtëpi që prej sezonit 2019- 2020, kur mposhtën Napolin e Veronën.

Juventusi e ka mbajtur portën e paprekur në dy daljet e para në kampionat. Tri ndeshje radhazi pa pësuar gol i ka regjistruar për herë të fundit në sezonin 2014-2015.

Roma i ka fituar dy transfertat e fundit pa pësuar gol në Serinë A. Tri suksese larg “Olimpikos” me portën e paprekur kanë ndodhur së fundmi në gusht 2018 (katër në atë rast).

Zhoze Murinjo ka humbur dy sfidat e fundit kundër Juventusit, që të dyja në sezonin e kaluar në Serinë A. Tri disfata radhazi ndaj një skuadre të vetme, “Special One” i ka pësuar vetëm 1 herë në karrierë, madje kur drejtonte Çelsin numri i disfatave radhazi shkoi në 4 kundër Liverpulit.

Dushan Vlahoviç është lojtari (përjashtuar portierin), i cili në dy javët e para ka prekur më pak topa se kushdo tjetër në Serinë A (35 prekje), të paktën 28 më pak se kushdo tjetër.

Paulo Dibala është lojtari që ka shënuar më shumë gola (68), në impiantin e ri të Juventusit, “Allianz Stadium”. Por tani që ka kaluar te Roma, bardhezinjtë shpresojnë që ai të mos ruajë të njëjtin intensitet.

Arena e Lajmit


Statistikat interesante të Juventus-Roma/ Murinjo rrezikon një rekord negativ! Dibala, mbreti i golave në “Allianz Stadium”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook