Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot gjatë komunikimit me gazetarët se një qytetare ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar nga sindromi i zemrës së plasur, pasi do e nxirrnin nga banesa.
Sipas Berishës, pallati do i prishej pas dëmtimi nga ndërtimet që po bën një deputet i PS. Ai bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama.
“Së fundi do të ndalem pak te një problem shumë i rëndë. Një qytetare ndërroi jetë nga stresi, nga sindromi i zemrës së plasur sepse po e nxjerrin me forcë nga shtëpia. Cila është historia? Pas tërmetit ekspertët u kanë dhënë banorëve të këtij pallati, klasifikimin se pallati i tyre nuk ka dëmtime të rëndësishme. Më vonë aty… dhe unë kam një status të vitit 2019, e kam dhe datën, me titull, ‘Ja se si luhet me jetën e 90 familjeve nga Edvin mafia për interesa direkt të deputetit Qefalia’. Qefalia ka shkuar aty ka bërë ndërtime, ia ka tund themelet pallatit dhe pallati duhet të rrëzohet. Do ndërtojë klientela. Në mënyrë barbare u presin ujin, u presin dritat. Janë 90 familje. Mbrëmë ndërroi jetë nga sindromi i plasjes së zemrës një qytetare që e shihte veten në humnerë totale që e nxirrnin me forcë. Dënoj…Këto ndodhin sepse në asnjë vend të botës nuk konfiskon kryeministri. Nuk konfiskon më gjykata në Shqipëri, konfiskon kryeministri.
Rama kërcënon gjykatat. Këto janë zhvillimet e një revanshi që po nuk e ndalëm do të rrokullisë shtetin shqiptar dhe shoqëritë”, deklaroi Berisha.