Arzen Voci është njeriu që diti të menaxhonte një situatë të rëndë të dielën në Rrogozhinë. Voci me plot gojën është njeriu që në momentet e para i dha ndihmën Qefalijajt, duke e mbajtur në jetë në momentet e para kur lojtari nuk po merrte frymë. Një udhëtim i tmerrshëm deri në Tiranë dhe falë ndihmës së mjekëve në Spitalin e Traumës, Klevi tani është jashtë rrezikut për jetën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Voci flet për minutat e tmerrit nga Rrogozhina deri në spital.
Arzen, keni bërë një veprim heroik, duke i shpëtuar jetën Klevi Qefalijajt…
Mendoj se kemi bërë vetëm detyrën dhe atë për të cilën ne jemi këtu. Që të jemi pranë lojtarëve edhe në momentet më të vështira. Fatmirësisht edhe me ndihmën e Zotit gjërat shkuan mirë, por ne bëmë maksimumin, falë atyre gjërave që ne kemi mësuar nga formimi ynë, shkolla, eksperienca, nga kursi që organizon federata me doktor Sezinin. Çdo gjë e vumë në zbatim dhe rezultoi me sukses.
Çfarë ndodhi saktësisht në ato momente?
Saktësisht ne e mësuam më vonë se çfarë ndodhi. Flas për diagnozën e saktë. Në fillim shihnim vetëm një çarje. Ishte evidente. Kishim frikë disa gjëra. Më pas mësuam që ishte një frakturë orbitale e pjesës ballore, e cila kishte shkaktuar një hematomë truri dhe axhitimi ishte shumë i fortë.
Ishte një ngjarje e paparë në futbollin tonë?
Me sa di unë, në Superiore nuk ka ndodhur asnjëherë diçka e ngjashme. Ka pasur goditje. Ka pasur komocione dhe humbje ndjenjash, por kaq të fortë nuk jam në dijeni që të ketë ndodhur diçka e tillë.
Patët frikë për më të keqen?
Në një moment po. Sepse po kalonte shumë kohë. Sekondat dukeshin si orë dhe në një farë pike, kur nuk po mundja ta bëja të inspironte, pata frikë. Ishin disa sekonda. Fati deshi që situata të kthehej në favorin tonë. Klevi nxori sekrecionet që e bllokonin. U lirua. E mbajtëm në monitorin së bashku me ndihmën e mjekëve të ambulancës.
Si është gjendja e Klevi Qefalijajt?
Fatmirësisht është mirë. Pas dy skanerëve që iu bënë të dielën, rezultoi që hematoma nuk është rritur. Nuk ka pasur mpiksje gjaku në tru dhe gjendja është stabël. Nuk ka lënë ndonjë pasojë. Thjesht do të ndjekë kurimin me kujdes. Tani është nën monitorim në pavijon dhe nuk është në terapi intensive. Besoj se gjithçka do të shkojë mirë.
E di që jeni djalë modest. Jeni heroi i vitit, por si është të shpëtosh një jetë?
Ndoshta jam pak gjaknxehtë dhe nuk po arrij ta kuptoj, por me apo pa modesti, them që kam bërë detyrën. Më vjen mirë që Klevi është dhe dua ta shoh sa më shpejt pranë nesh. Unë jam po njëlloj i frymëzuar për këtë rrugë që kam vendosur të ndjek.
Një këshillë për ata që janë mjekë si ju, çfarë duhet të bëjnë në raste të tilla?
Duhet të kuptojnë që ky profesion është një zanat që kërkon gjithmonë investim dhe që kërkon gjithmonë dije. Dua të nënvizoj se duhet të jenë gjatë gjithë kohës duke lexuar, marrë pjesë në kurse e seminare. Që të jenë të zhvilluar, të formuar dhe sa më të përgatitur për çdo lloj situate që ju vjen.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
VIDEO/ Panik dhe lot, dëmtimi i rëndë i të riut Qefalija solli ndërprerjen e Egnatia-Tirana
Ngjarja e frikshme me Qefalijan, Tirana tregon situatën shëndetësore të lojtarit: Do të mbahet nën mbikëqyrje
NGJARJA E PLOTË/ Dëmtimi horror i Qefalisë, si mesfushori i Tiranës shmangu operacionin (VIDEO)