Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka lënë pas Zhoze Murinjon, teksa kundër Espanjolit ka drejtuar për të 179-ën herë klubin merengues. Italiani është bërë trajneri i gjashtë në historinë e klubit të bardhë me më shumë ndeshje pasi la pas Murinjon (178).
Përpara tij janë Miguel Munjoz (605), Zinedin Zidan (263), Visente del Boske (246), Leo Benhaker (197) dhe Molovni (183). Bilanci i Ançelotit në këto 179 ndeshje në stolin e Realit të Madridit është 132 fitore, 22 barazime dhe 25 humbje. Ndeshjet ndahen midis La Liga (117), Champions League (38), Kupa e Mbretit (16), Superkupa e Spanjës (4), Kupa e Botës për Klube (2) dhe Superkupa e Europës (2).
Si trajner i Realit, Ançeloti ka fituar tetë trofe. Me triumfin në La Liga kundër Espanjolit (e treta fitore radhazi në La Liga në tri takime të gjitha jashtë fushe), shtuar këtu dhe suksesin në Superkupën e Europës, italiani ka shënuar nisjen më të mirë të një sezoni nga Karlo Ançeloti.
Arena e Lajmit