Humbja ndaj Vllaznisë, Skënder Gega kritikon lojtarët e Kukësit në analizë

Kukësi ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë ndaj Kastriotit që do të luhet në “Kukës Arena”. Humbja e fundit dhe starti i dobët ka bërë që tek blutë të pllakosë heshtja, edhe pse përballë kishin dy kundërshtarë të vështirë si kampionët e Tiranës dhe fituesit e kupës, Vllazninë.

Gega

Në klub kanë bërë analizën e humbjes ndaj shkodranëve, e cila erdhi në minutat shtesë të takimit, duke i hequr mundësinë skuadrës të marrë një pikë morali. Vetëm një pikë në dy ndeshje është shumë pak për një skuadër që ka pretendime, por nuk e konsiderojnë fundin e botës.

KRITIKAT – Ka qenë vetë tekniku Gega që në njëfarë mënyre ka pasur kritika për të gjithë, sidomos sa i përket atij goli në sekondat e fundit, gjë që nuk mund të ndodhë me një ekip që këtë sezon ka synim për të fituar trofe. Tekniku ka kërkuar llogari edhe për rastet e humbura, të cilat mund edhe të sillnin tri pikët në Kukës dhe situata tani do të ishte krejt ndryshe.

Gega Kukesi

Nëse verilindorët do të shfrytëzonin mundësitë që u dolën para portës kundërshtare, mund të mos vinte ai moment në fund ku pësuan. Me pak fjalë, në analizën me skuadrën, tekniku ka pasur kritika për të gjithë, pasi humbja erdhi në sajë të gabimeve të tyre, sidomos në pjesën e dytë ku e rritën nivelin e lojës dhe mund të dilnin edhe me fitore. Megjithatë, ka pasur edhe përgëzime për momentet e mira që treguan, ku gjetën forca të kthenin për një moment rezultatin dhe lojën në favorin e tyre.

KASTRIOTI – Gjithsesi, humbja ndaj Vllaznisë do të lihet pas dhe tani e gjithë vëmendja do të jetë te kundërshtari i radhës, Kastrioti. Nëse në dy ndeshjet e para edhe mund të përtypen barazimi me Tiranën dhe humbja me Vllazninë, ndaj krutanëve vlen vetëm fitorja.

Përballë do të jetë një kundërshtar që të paktën në letër do të jetë më i lehtë dhe mundësitë për të bërë më mirë janë më të mëdha. Sezonin e kaluar blutë fituan tre nga katër përballjet me Kastriotin në kampionat, ndaj besojnë se ky trend pozitiv do të vijojë edhe përgjatë këtij sezoni. Kjo ndeshje është një mundësi e mirë për të rikthyer Kukësin te fitorja, e cila ende nuk është provuar këtë sezon.

V. MEMA – Arena e Lajmit


Humbja ndaj Vllaznisë, Skënder Gega kritikon lojtarët e Kukësit në analizë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook