Masimo Morati është gjithmonë në ndjekje të Interit, që ende e konsideron të tijin. Ish-presidenti i zikaltërve ka komentuar momentin e skuadrës së Inzagit dhe garën për titull, duke zbuluar favoritët e tij dhe duke analizuar lëvizjet e merkatos. “Milani është një skuadër shumë e fortë.
Luajnë mirë, janë konkretë dhe për sa kohë janë kampionët në fuqi, sigurisht që janë favoritë. Interi, nga ana tjetër, i ka të gjithë mundësitë për ta fituar, por të mos harrojmë se këto mundësi i kishte edhe sezonin e shkuar.
Sigurisht që unë jam tifozi i parë i tyre, por nëse nuk do ta fitojë Interi, do të jem tifoz i Murinjos dhe Romës së tij”, tha italiani, që u ndal edhe tek individët. “Interi kishte shumë sulmues dhe mbërritja e Dibalës do të ishte e dobishme, por në aspektin financiar ishte e pamundur, të gjithë e dimë se duhet të bëjmë kujdes me bilancin. Pastaj mbërriti Lukaku, për të cilin nuk kam asnjë shqetësim. Do të rigjejë formën optimale, sepse e ka nisur përgatitjen pak me vonesë”, u shpreh Morati.
Arena e Lajmit