Nisja me marsh të lartë premton një sezon të madh, gara për ‘Këpucën e Artë’ në Europë kap majat

Sezoni i ri futbollistik në Europë nuk ka shumë që ka nisur. Ai është vetëm në hapat e parë, por bomberat më të rëndësishëm në kampionatet elitare e kanë nisur me marsh të lartë. Shifrat e tyre në javët e para premtojnë një sezon të jashtëzakonshëm, për më shumë që përkon edhe me Kampionatin Botëror që do të nisë në nëntor.

9878

Nisjet mbresëlënëse të Levandovskit, Benzemasë, Halandit, Nejmarit e Mbapesë garantojnë një rivalitet deri në javën e fundit për sa i përket “Këpucës së Artë”, që i jepet golashënuesit më të mirë në ligat europiane. Titullmbajtësi në fuqi është sulmuesi aktual i Barcelonës, Robert Levandovski. Në sezonin e kaluar ai shënonte 35 gola në Bundesligë me fanellën e Bajernit të Mynihut. Pas polakut të Barçës vinte Kilië Mbape, i cili shënonte 28 rrjeta me Paris SG-në në kampionatin francez. Vendin e tretë e ndanin së bashku Benzema dhe Imobile, të cilët realizonin nga 27 gola, përkatësisht për Realin e Madridit dhe Lacion. Mbape numëron 4 gola në këtë fillim sezoni, po aq sa edhe Robert Levandovski, ndërsa Benzema numëron 3 gola, falë dopjetës së realizuar fundjavën e kaluar kundër Espanjolit.

Nga ish-goleadorët e sezonit të kaluar, më mbrapa ndodhet Çiro Imobile, i cili ka mundur të shënojë vetëm një herë në këtë sezon. Krejt ndryshe është situata me Nejmarin dhe Halandin. Për arsye të ndryshme, dy sulmuesit mbetën jashtë vëmendjes. Por ky fillim sezoni ka qenë i shkëlqyer për ta. Nejmar ka shënuar 6 gola me fanellën e Parisit, duke futur dhe rrjetën e realizuar të mërkurën në mbrëmje. Edhe më mirë se ai ka bërë ylli i ri i Mançester Sitit, Erling Haland, i cili ka kapur shifrat e 9 golave në 5 javët e para në Premier. Dhe me këto ritme të çmendura, norvegjezi rrezikon të thyejë çdo rekord të mundshëm në elitën e futbollit në ishull. Shumë më e ashpër do të jetë gara për “Këpucën e Artë” në këtë sezon edhe në La Liga. Benzema nuk do ta ketë të lehtë si në sezonin e kaluar kur dominoi me 27 rrjeta. Ardhja e Levandovskit pritet ta bëjë edhe më interesante garën për golashënuesin më të mirë në Spanjë.

Arena e Lajmit


Nisja me marsh të lartë premton një sezon të madh, gara për ‘Këpucën e Artë’ në Europë kap majat

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook