“Ministrat në Shqipëri i frikëson vetëm kryeministri”, Afrim Krasniqi për Amnistinë Fiskale dhe Pasaportat e Arta: Rama mund të stepet vetëm nga ndërkombëtarët

Screenshot 2023 01 02 095506

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, ka akuzuar Parlamentin e Shqipërisë se nuk bëri detyrën e tij në sesionin e mbyllur në dhjetor, ndërsa kritikoi gjuhën e ashpër të përdorur nga të gjitha kahet e politikës.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Krasniqi u shpreh gjithashtu se e vetmja gjë që po e step kryeministrin Rama nga Amnistia Fiskale dhe Pasaportat e Arta, është vetëm presioni i ndërkombëtarëve.

Sa ndikon kjo gjuhë te qytetarët për t’i ndjekur zhvillimet politike, e afron apo largon kjo gjuhë politikanin me qytetarin?

Në këtë periudhë kemi pasur një dyndje nga mediat britanike për të na pyetur se çfarë po ndodh me shqiptarët që po largohen. Ka qenë shumë e vështirë për t’u thënë atyre si janë problematikat dhe cilët janë faktorët që ndikojnë. Dhe kur na kanë pyetur se kush është reagimi i institucioneve, imagjinoni që ne t’u përkthejmë atyre çfarë ndodh në Parlamentin shqiptar.

Ata nuk do kenë më nevojë të bëjnë pyetje, do ta kuptojnë menjëherë pse shqiptarët largohen nga vendi. Kjo lloj gjuhe denigruese, fyese dhe ky lloj formalizmi në vendimmarrjen parlamentare praktikisht është mesazhi më i dëmshëm që i jepet shoqërisë shqiptare. Jepet mesazhi që politikat në këtë vend nuk jetojmë me realitetin, nuk i respektojnë pritshmëritë e qytetarëve, nuk kanë axhendë dhe program për qytetarët, por janë të prirur për interesa të tjera si për pushtetin që ata kanë marrë ose jeta luksoze që ata bëjnë, i shkëputur nga realiteti ka krijuar një pakicë të vogël oligarkësh në politikën shqiptare, e cila praktikisht nuk përfaqëson më qytetarët dhe nuk ka ndjeshmëri ndaj tyre. Kjo është arsyeja që në sondazhet që kemi bërë, që do ta prezantojmë në fund të janarit, një nga gjetjet e para është që ka një zhgënjim masiv të qytetarëve ndaj Parlamentit të ri, ndërkohë që më shumë se gjysma e anëtarëve të Parlamentit zgjidhen për herë të parë.

Cilat kanë qenë projektligjet apo aktet normative që kanë rënë në “optikën” tuaj?

Nominalisht janë të gjitha aktet që lidhen me paratë. Marrëveshja kryesore është ajo për Portin e Ri të Durrësit. Në thelb shqetësimi është tjerët. Praktika e mirë ndërkombëtarë është e tillë që qeveria matet mirë kur të shkojë në Parlament që i kërkon asaj llogari për çdolloj detaji dhe vendimi merret në fund pasi është mbledhur i gjithë informacioni dhe krijojnë bindjen e plotë për aktin që do miratojnë. Pavarësisht nëse ka një vullnet apo urdhër politik, përsëri deputetët tregojnë integritet dhe kërkojnë sqarime të vazhdueshme derisa binden për vendimin.

Te ne ndodh e kundërta. Te ne ndodh që qeveria, ministrat, kontrollojnë parlamentin dhe deputetët u shërbejnë ministrave dhe kabinetit qeveritar. Ata nuk u kërkojnë kurrë llogari, por duartrokasin fjalimet e ministrave. Kur një zyrtar i lartë i qeverisë del dhe thotë që ne do ta kalojmë këtë akt në parlament dhe në vend që t’i kërkojë llogari, Parlamenti vihet menjëherë në funksion për ta kaluar aktin. Kjo është krejt e kundërt me funksionin e Parlamentit në demokraci dhe republikë parlamentare sipas sistemit tonë kushtetues. Nga ana tjetër, ajo që duhet të bënte korrektimin, opozita, nuk e ka luajtur funksionin e vet. Modeli më i mirë i opozitës ishte komisioni hetimor i inceneratorëve, që çoi në burg edhe një numër të lartë zyrtarësh.

Ajo nuk vazhdoi ta bëjë të njëjtën gjë në sesionin që u mbyll. Së pari: kjo sepse opozita nuk arriti dot të shfaqej si e plotë, por si copëza të opozitës, së dyti ajo përdori të njëjtat mekanizma që përdor maxhoranca, retorikë politike dhe denigruese dhe së treti opozita ra viktimë e axhendës ditore të Parlamentit dhe jo një platformë, e cilat lidhet me qytetarët, me interesin publik. Nëse i marrin aktet normative apo marrëveshjet e firmosura, ku Kuvendi kryen rolin e noterit, këto sjellin shqetësim sepse zhvlerësojnë rolin e parlamentit dhe ulen pritshmëritë për qytetarët se Kuvendi do sillet ndryshe. Fakti që 4-5 vendime kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe një është rrëzuar do të thotë që debati ligjor për këto akte do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

A e shihni copëzimin e opozitës si arsye kryesore që maxhoranca po sillet me të gjitha format që kemi parë?

Gjithmonë në politikë thuhet: Nga kush kanë frikë, që të kuptohet se si sillen me palët e tjera. Një piramidë e frikës në Shqipëri është shumë e çuditshme. P.sh., Kryeministri nuk ka frikë nga opozita, as nga mediat, shoqëria civile dhe as nga qytetarët. E vetmja frikë e tij është kur shkruajnë mediat ndërkombëtare. Ai acarohet sa herë që mediat ndërkombëtare e atakojnë.

Ministrat në Shqipëri nuk frikësohen nga opozita, mediat apo qytetarët, ata frikësohen nga Kryeministri për shkak se janë nën emërim nominal dhe në marrëdhënie personale dhe vetëm sistemi personal mund të funksionojë në bindjen e tyre. Duhet të ishte krejtësisht ndryshe. Opozita duhet të ishte forca, e cila i detyron ministrat dhe Kryeministrin të frikësohen kur vijnë në Parlament. Frikësim në kuptimin që të japin llogari, të vijnë me shkresa dhe të përgatitur, të japin informacion dhe sqarime, interpelanca debate gjë që nuk ka ndodhur. Kur opozita është munduar ta ushtrojë këtë lloj funksioni, sidomos me interpelanca, ato i janë kthyer kundër për shkak të një arrogance që ka pasur nga pala tjetër.

Nuk ka një rast të vetëm kur një ministër del edhe thotë që: Po, keni të drejtë, dhe ose kërkon ndjesë ose thotë që kemi një plan për zgjidhjen e këtij problemi. Ata gjithmonë thonë që ju gënjeni, ju sulmoni, duke denigruar edhe konceptin e transparencës dhe debatit parlamentar. Nga ana tjetër nuk kemi një rast të vetëm kur opozita del edhe thotë për qeverinë që: Po masa që ju morët për një çështje të caktuar është e saktë dhe ne e përkrahim. Duke e konsideruar që shteti është mbi partitë dhe ne i shërbejmë interesit publik dhe shtetit. Kjo do të thotë që të dy palët janë ekstreme dhe të gjitha instrumentet parlamentare të konsensusit e njëjta retorikë përdoret në të gjitha nivelet. Prandaj edhe Parlamenti nuk krijon dot një besim tek publiku.

Asnjë nga propozimet e opozitës nuk është marrë në konsideratë nga maxhoranca. Pse ka ndenjur kjo?

Opozita ka vepruar në mënyrë jo vizionare në funksionet joparlamentare. Së pari ajo humbi shanset për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, nuk mori pjesë në proces dhe nuk propozoi kandidaturë dhe për zgjedhjen e avokatit të popullit u deshën 8 muaj për të bërë negociata dhe shkuar tek dy emra që u rrëzuan.

Opozita nuk arriti të marrë asgjë. Kush ishin deputetët më aktivë dhe pasivë gjatë sesionit që u mbyll? Ne bëjmë vlerësimin e deputetëve që flasin, propozojnë amendamente, ligje, marrin pjesë në jetën parlamentare, ushtrojnë të drejtën e kërkesës për informimi, interpelancave. Tashmë kemi disa modele parlamentare. Nga maxhoranca aktivë ishin Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj. Nga opozita vazhdojnë të jenë të njëjtët deputetë ku bien ne sy modeli i Jorida Tabakut që ngre disa problematika dhe çështje parlamentare, por edhe deputetë të tjerë që flasin për probleme të caktuara që lidhen me zonën që përfaqësojnë apo edhe më gjerë për të përmbushur atë që quhet përgjegjësi parlamentare. Problemi është që numri i të mirëve në pParlament është gjithmonë e më i vogël.

Pyetja është që pse duhet ti kemi 140 deputetë kur nuk bëhen as 14 të mirë, për çfarë na duhen të tjerët. Ka deputetë që edhe kur lexojnë relacionet të përgatitura nga këshilltarët nuk dinë t’i kuptojnë. Kemi pasur raste në këtë sesion kur deputetët i referoheshin të njëjtës shprehje që i referohej lideri, pavarësisht se ai e kishte gabim, 13 deputetë të tjerë përdorën të njëjtën shprehje duke treguar që të 13 nuk e kuptonin atë por e riprodhonin pavarësisht se ishte një gabim në referencë. Së pari kjo tregon që parlamenti ka nevojë të ketë cilësi më të mirë, së dyti deputetët kanë nevojë për trajnim dhe informacion dhe së treti kanë nevojë për stafe dhe njerëz që i kontrollojnë dhe së katërti kanë nevojë për një llogaridhënie. Deputeti nuk mund të thotë që unë kaq e dija dhe kaq bëra. Parlamentit i mungon koncepti i llogaridhënies, që është themelori në një demokraci funksionale.

Sa pritet të ndikojë rezultati i zgjedhjeve lokale në ecurinë e sesionit parlamentar të ardhshëm?

Parlamenti është jashtë zgjedhjeve lokale. I vetmi moment kur Parlamenti do përfshihet për ndonjë akt të veçantë, gjë që ka ndodhur, ose për shkak të rezultatit që do të kenë zgjedhjet lokale dhe debati që do të ketë mbi rezultatin që do marrin sidomos grupe të caktuara të opozitës. Parlamenti i është larguar nga qeverisja vendore dhe mënyra si funksionon ajo.

Parlamenti ia ka dhuruar funksionet qeverisë, që është absurde, por kështu ka vepruar dhe me siguri do vazhdojë e njëjta situatë. Ndërkohë që maxhoranca përfiton nga Parlamenti dhe seancat e të enjteve më shumë shndërrohen në paradë të ministrave që japin deklarata publike sesa momente kur ministrat japin llogari dhe si i tillë do të vazhdojnë ta përdorin masivisht ekranin dhe momentin parlamentar në funksion të retorikës së ditës dhe nevojave elektorale. Pavarësisht se ministrat që mbrojnë zona të caktuara nuk janë zgjedhur në ato zona, por partia i ka caktuar aty.

Sesionin e ardhshëm qeveria pritet të miratojë nisma të rëndësishme ligjore si “Amnistia fiskale”, “Pasaportat e arta”, ligji për lojërat e fatit online?

Ndonjëherë ne themi që ç’duan ndërkombëtarët që na përfshihen në punët tona. Në këtë rast ne duhet të themi shyqyr që janë ndërkombëtarët, sepse nëse nuk do t’i kishim do të kishin kaluar të gjitha këto akte, sidomos çështja e amnistisë ose dhënia e shtetësisë së individëve që jetojnë në Shqipëri. Këto janë dy akte dukshëm korruptive, abuzive dhe jashtë çdo standardi të një vendi që do të hyjë në Bashkimin Europian. Por falë presionit të ndërkombëtarëve, ato kanë ngelur ende në sirtarët e Parlamentit.

Me siguri presioni i ndërkombëtarëve do jetë më i madh se dëshira e qeverisë për të fituar para në funksion të fushatës dhe mekanizmit informal që po ndodh me grupe të caktuara informale në botë. Ta shesësh këtë si investim të diasporës është absurde dhe fyese edhe për diasporën. Shqipëria u ka një borxh diasporës dhe borxhi është e drejta kushtetuese e votës. Paria Socialiste ka qenë flamurtare e së drejtës së votës dhe në 10 vite në pushtet nuk ka bërë asgjë. Ta thuash tani që unë po ndihmoj diasporën se do amnistojë grupe të caktuara informale që kanë burime të caktuara parash dhe nuk kanë mundësi t’i sjellin në Shqipëri, praktikisht është të legalizosh atë që po ndodh në tiranë që janë një numër shumë i madh ndërtimesh pa autorësi, në vendin më të varfër që është konstatuar edhe nga delegacionet e huaja që vijnë në Shqipëri.

Reagimi kritik i BE-së dhe i shteteve të tjera kundër amnistisë fiskale dhe akteve të tjera të qeverisë është mburoja më e mirë për interesin publik në Shqipëri. Është lajm i keq sepse nëse do të hysh në BE duhet të sillesh si anëtar i Bashkimit Europian dhe jo ta kesh BE si polic që të kontrollon sa herë gabo. Por për sa kohë nuk kemi opozitë funksionale, institucione të garancisë kushtetuese dhe zë qytetar që mbron të drejtat e veta shpresa e vetme ngelet faktori ndërkombëtar.

Si i keni parë ju vendimet për përjashtime nga seancat vetëm të deputetëve të opozitës pas përplasjes me Kryeministrin me gjuhë të ashpër dhe fyese?

Kjo lidhet me strukturën e Parlamentit. Znj Nikolla është munduar t’i japë një hapësirë opozitës dhe të largojë konfliktet në Parlament, por për shkak të presionit që vjen nga të dyja palët, nuk ka arritur në shumë raste ta menaxhojë si duhet Parlamentin. Kjo është një nga detyrat më të vështira sepse retorika e ashpër të pamundëson të jesh aktor i tretë. Struktura parlamentare që merret me etikën është tërësisht jashtë funksionit. Kodi i Etikës, që është risi, askush nuk e respekton.

Këto që duhet të ishin funksionet kryesore të transparencës parlamentare nuk ndodhin dhe i kompensojë me konceptin e showt. Parlamenti duhet të bëjë detyrën, për të cilën ngarkohet nga Kushtetuta dhe ligji. Për sa kohë bën show, Parlamenti është i dobët. Kryeministri duke qenë titullari i partisë në pushtet, kryetari i maxhorancës, Kryeministër, kryetar partie i pavotuar prej 13 vitesh dhe njeriu që i ka propozuar drejtuesit e Parlamentit ndihet i sigurt dhe nuk zbatohen standardet etike parlamentare. Standardi i dyfishtë nuk shërben si alibi që opozita të ketë qasje të tillë dhe përdor gjuhë të njëjtë denigruese.

Cilat ishin zhvillimet pozitive dhe negative?

Dy elementë pozitiv dua t’i përmend. Së pari, Parlamenti është bërë qendra e politikës dhe nuk kemi politikë në rrugë. Ky është ndryshim i madh nga periudha kur një palë hoqi dorë nga mandati parlamentar dhe zgjodhën mekanizma të tjerë përfaqësimi. Së dyti: Nëse shikoni bisedimet me Brukselin, për herë të parë një numër i madh deputetësh janë ftuar dhe kanë udhëtuar bashkërisht në Bruksel ku kanë prezantuar Shqipërinë dhe nuk kanë pasur konflikte mes tyre. Që do të thotë kanë filluar të kuptojnë fazën e maturimit në përfaqësimin ndërkombëtar. Janë disa detyra shtëpie që duhen bërë bashkë.

“Ministrat në Shqipëri i frikëson vetëm kryeministri”, Afrim Krasniqi për Amnistinë Fiskale dhe Pasaportat e Arta: Rama mund të stepet vetëm nga ndërkombëtarët

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook