Nga gabimet te muri “ofensiv”, Majku “Magjik” rrëfen sekretet: I urrej humbjet, me mua Milani i sigurt

Tridhjetë e një për qind të penalltive të pritura. Është ky rekordi i Majk Menjasë për pesë kampionatet madhore të Europës. Francezi ndaj Sasuolos priti 11-metërshin e parë në Serinë A teksa ishte pritja e nëntë nga pika e bardhë në 29 goditje të pësuara.

MENJA

Asnjë koleg nga 2016 e deri më sot nuk ka bërë më mirë mes atyre që u është dashur të përballen me të paktën 25 penallti. Sidoqoftë, portieri i Milanit e sheh këtë arritje si pjesë shtesë për të arritur objektivat që i ka vënë vetes në lidhje me klubin e tij. Këtë e ka dëshmuar edhe në intervistën e dhënë për “DAZN” ku temat e prekura kanë qenë nga më të larmishmet.

Si do ta përshkruanit karakterin tuaj?

Jam një djalë i qetë të cilit nuk i pëlqen të flasë shumë. Unë preferoj faktet dhe jam shumë i përkushtuar në punën time.

Roli i portierit si është?

I vështirë sepse jemi vetëm në një sport ekipor. Puna duhet të jetë e saktë dhe përveç mendësisë, nevojitet edhe një personalitet i fortë. Shpesh portieri është edhe lojtari më i rëndësishëm në një ekip.

MENJA 2

Titulli i vjetshëm ishte surprizë për ju?

Jo sepse e prisja që mund të fitonim. Përpara transferimit kisha folur shumë me drejtuesit. Qëllimi i të gjithëve në klub është që të rikthejmë Milanin aty ku e meriton.

Raporti me Ibrën si është?

Kur flet Ibra, të gjithë dhe dëgjojnë. Më kujtohet vite im i parë në ekipin e parë në Paris. Gjatë një seance stërvitore, po punonim me goditje nga sulmuesit. Të gjithë e dinim se sa fort godiste Ibra. Ai lëshoi shumë të fortë nga brenda zonës për të më sfiduar. Ia prita. Në fund të stërvitjes, në dhomat e zhveshjes, më tha se i pëlqente mentaliteti im dhe të vazhdoja kështu. Sot, tetë vjet më vonë, jemi së bashku te Milani.

Keni ndier presion kur ju thonin se duhet të zëvendësonit Donarumën?

Nuk e kam ndier kurrë, pavarësisht se lexoja që njerëzit më krahasonin me Donarumën. Në fakt, këto zëra, mua nuk më shqetësonin. Përpara çdo ndeshjeje mundohem të izolohem e të mos dëgjoj ato që thonë njerëzit. Nuk e dua presionin e tyre dhe e kapërcej duke dëgjuar muzikë.

Gjithmonë keni dashur të jeni portier?

Jo, jo. Doja të isha mesfushor ose sulmues. Më pëlqente të lëvizja nëpër fushë. Portier u bëra sepse humba një bast me ish-trajnerin tim. Më dërgoi të bëja një provim në Klerfonten (qendra e kombëtareve franceze). Nëse arrija në fazën e fundit si portier do të vijoja të bëja atë rol. Ja që ashtu ndodhi. (qesh)

Cili ka qenë lojtari që admironit kur ishit fëmijë?

Isha tifoz i Liverpulit dhe adhuroja Stiven Xherardin. Më pëlqente shumë.

Çfarë bëni gjatë nxehjes?

Përveç ushtrimeve të portierit, më duhet të bëj edhe diçka me këmbët duke qenë se luaj shumë me to gjatë lojës.

Si ka qenë raporti juaj me Nelson Didën?

Kam folur shumë me të që në ditën time të parë te Milani. Jam munduar të mësoj sa më shumë prej tij e të kuptoj se në cilat aspekte mund të përmirësohem. Më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë.

Ka zëra që jeni maniak i rregullit dhe i pastërtisë…

Këpucët i laj gjithmonë vetë. Dua të jem i rregullt. Kur isha i vogël të gjitha rrobat e ndotura i fusja në çantë dhe mamasë i duhej të m’i lante. Një ditë ajo më tha se duhet të merresha vetë me çdo gjë e ashtu jam mësuar.

Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?

Kam lindur në Guianën franceze, por familja u largua që aty kur unë isha shumë i vogël. Jam rritur me vlera familjare dhe të afërmit e mi janë forca ime. Pa familjen nuk jam asgjë.

Thuhet gjithashtu se i studioni shumë kundërshtarët?

E vërtetë. Roli i sulmuesit më pëlqen shumë. A ju besohet se kur shoh ndonjë ndeshje i kushtoj më tepër vëmendje sulmuesve. Kur i kam përballë mundohem të kuptoj përpara kohe se çfarë do të bëjnë.

Po nga derbi juaj i parë çfarë kujtoni?

Që kishte shumë tension. E dinim se ishte një ndeshje më shumë peshë për sezonin. Kam kujtime të bukura nga ajo ndeshje ku ngadhënjeu forca jonë e vullnetit. E kishim përgatitur mirë atë sfidë dhe ndjeheshim të gjithë gati.

Çfarë marrëdhënieje keni me Piolin?

Trajneri flet gjithmonë. Përpara stërvitjeve e përpara ndeshjeve. Ai na transmeton energji dhe besim. Edhe në derbin e shkurtit, atë të përmbysjes, erdhi në pushim të ndeshjes e na foli nga pak secilit. Është mënyra e tij për të na dhënë besim.

Pse Milani rreshton një mur lojtarësh edhe në goditjet e dënimit pro?

Unë i analizoj ndeshjet. Sapo mbarojnë ose një ditë më pas. Ajo vendosje edhe kur i ekzekutojmë vetë goditjet e dënimit është një shpikje imja.

Çfarë menduat pas gabimit në ndeshjen kundër Salernitanës?

Nuk më pritej të mbaronte ndeshja, ndaj kërkova ta shoh që pas pjesës së parë. Doja të kuptoja arsyen që më kishte shtyrë që të gaboja. Kjo është mënyra ime për t’u rritur e për të bërë gjithmonë një punë të mirë.

menja

Çfarë mendoni për tifozët e Milanit?

Janë më të mirët. Na dhanë shumë forcë vitin e kaluar. Më kujtohet kur në Romë, kundër Lacios, ku praktikisht i gjithë stadiumi ishte yni ose kundër Sasuolos. Në ndeshjen e fundit ishim të sigurt se do të fitonim, sepse kishim besim te vetja dhe në forcën që tifozët kuqezi na transmetonin nga jashtë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit


Nga gabimet te muri “ofensiv”, Majku “Magjik” rrëfen sekretet: I urrej humbjet, me mua Milani i sigurt

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook