Kur na ndajnë disa jave nga zgjedhjet lokale të 14 majit, tenderat për asfalt elektoral nuk kanë munguar as në Bashkinë e Kuçovës.
Bashkia e drejtuar nga Kreshnik Hajdari është kujdesur të përmbyllë tenderin për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Goraj përpara zgjedhjeve, pavarësisht se banorët kishin vite të tëra që bënin thirrje për rikonstruksionin e 5 kilometrave rrugë që u kishin vështirësuar jetën.
Tenderi për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Goraj është çelur në 17 janar 2023, në kundërshtim me ligjin që ndalon zhvillimin e tenderëve 4 muaj përpara zgjedhjeve lokale.
Tenderi kap vlerën e 350 milionë lekëve për një rrugë fshati dhe është fituar nga firma ‘Koloseu’. Në procedurën e prokurimit kanë ofertuar 12 operatorë ekonomikë, por tenderin e ka fituar ‘Koloseu’ pavarësisht se oferta ekonomike e kësaj kompanie nuk ishte çmimi më i ulët.
Ndërkohë që kryebashkiaku Kreshnik Hajdari pret rikonfirmimin e emrit të tij në garën për bashkinë e Kuçovës, burime të brendshme pranë bashkisë bëjnë të ditur se në ditët në vazhdim priten përfundime të tenderëve të tjerë për qëllime elektorale, që janë çelur në kundërshtim me ligjin.