Një sezon më parë pas javës së pestë të kampionatit, Interi kishte pësuar 5 gola duke shënuar 18 të tillë, me vetëm një barazim dhe 4 fitore. Sot zikaltrit kanë numra inferiorë për sa i përket golavarazhit, por edhe fitoreve. 11 gola të shënuar dhe 8 pësuar, me 2 humbje dhe 3 fitore, kanë bërë që skuadra e Inzagit të jetë ende larg formës maksimale të saj dhe të ngrejë pikëpyetje të shumta në lidhje me atë që ka qenë shpesh pika e saj e fortë: mbrojtja.
Edhe pse rivalët e ndeshjeve të para kanë përfshirë emra si Lacio e Milani, 8 gola në 5 ndeshje janë një kambanë alarmi për Inzagin dhe gjithë skuadrën, që objektiv të tyre kanë titullin. Ajo që rëndon më tepër situatën është fakti që zikaltërve nuk u mungojnë emrat e nivelit në prapavijë. Milan Shkriniar ka qenë objektiv i PSG-së gjatë gjithë merkatos dhe qëndrimi tij pritej t’i jepte siguri skuadrës, por nuk ka mjaftuar, edhe pse duhet thënë se mes të tre mbrojtësve, sllovaku ishte më i sakti. Zakonisht flitet për gabime vetëm të repartit, por ajo që u konfirmua në derbin ndaj Milanit është një problem që përfshin të gjithë skuadrën në momentin që nuk kanë zotërimin e topit.
GOLAT E DERBIT
Goli i parë ka lindur kur skuadra ishte relativisht e tërhequr dhe Tonali arriti të ndërpriste ndryshimin e lojës që Çalhanoglu po tentonte. Rrjeta e dytë e kuqezinjve vjen si pasojë e një ngrirjeje të habitshme të mbrojtësve të Interit, që edhe pse në superioritet numerik lejuan Leaon të pasonte dhe Zhirunë të godiste me qetësinë maksimale.
Edhe në të tretin mjaftoi një lëvizje e portugezit për të lënë në vend tre kundërshtarë. Probleme kolektive të theksuara të skuadrës zikaltër, por pa dyshim edhe gafa të pakuptueshme individuale të lojtarëve të Interit, të cilat i takojnë Inzagit t’i zgjidhë. Trajneri duhet të nxitojë sepse siç tha dhe ai vetë “pas dy muajve përgatitje, duhet të ishin në një tjetër pikë”. Koha për të lënë pikë rrugës ka skaduar dhe Interi nuk mund t’i falë më vetes hapa fals.
Arena e Lajmit