Armando Broja ka udhëtuar sot me skuadrën e Çelsit drejt Zagrebit, ku ekipi i tij nis rrugëtimin në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Sulmuesi shqiptar është pjesë e pandashme e ekipit dhe pritet që të ketë një rol të rëndësishëm në javët e ardhshme ku skuadra do të ketë nevojë për rotacion për shkak të impenjimeve të shumta.
Broja merr pjesë në ndeshjet e Ligës së Kampioneve si pjesë e Listës B të Çelsit pasi klubi ka përfituar nga rasti meqë ai është një futbollist U21 i dalë nga akademia e tij, për të liruar një vend në listën e pandryshueshme A. Por askush nuk ka dyshime për pjesëmarrjen e tij në ndeshjet e Champions, me portalet e njohura angleze që shohin atë si një titullar të mundshëm për duelin ndaj kroatëve.
Vetë Broja dukej në humor në fotot e postuara nga klubi i Çelsit në faqen zyrtare, teksa shfaqej i qeshur gjatë seancës stërvitore që u zhvillua në stadiumin “Maksimir” ku nesër pritet të shkruajë për herë të parë emrin e tij në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë.
Arena e Lajmit