Skaneri i të gjitha sfidave të grupeve, sekretet e 16 dueleve të para në Champions

Sezoni 2022-’23 i Ligës së Kampioneve ngre si parin sot me 8 sfidat e para të grupeve. Java e parë nis menjëherë me duele intriguese të cilat premtojnë spektakël.

champions 1

SËLLTIK-REAL – Çfarë mënyre për t’u rikthyer në skenën europiane pas një mungese 4-vjeçare! Vizita e Realit në Skoci, skuadrës që ka fituar 5 nga 9 Championset e fundit, është sfida që “The Boys” prisnin dhe vjen në momentin të mirë të tyre, pasi siguruan fitoren më të thellë në historinë e klubit në transfertë (9-0 kundër Dandit javën e shkuar) dhe pastaj triumfuan 4-0 në derbin kundër Glasgout. “Mendoj se mund t’i mundim ata”, thotë Kiogo Furuhashi. Reali nuk ka dështuar kurrë në historinë e Champions-it të mos kualifikohet nga grupet.

DINAMO ZAGREB-ÇELSI – Blutë e Tuhelit shpresojnë ta nisin me fitore aventurën e tyre europiane. Por ata e dinë se nuk ka stadiume të lehta dhe për këtë mund të pyesin komshinjtë e Totenhemit. Dinamo e Zagrebit vijon që të prodhojë talente të shkëlqyera (mbajeni mend emrin e mesfushorit Martin Baturina) dhe janë një forcë ofensive, veçanërisht në shtëpi. Kroatët nuk mposhten në “Maksimir” në 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet (16 fitore, 3 barazime). Mateo Kovaçiç luajti 6 vite te Dinamo në fillim të karrierës dhe shënoi në debutimin e tij në 2010 kur ishte 16 vjeç e 198 ditë.

SEVILJA-MANÇESTER SITI – Erling Haland ka shënuar 27 gola në vetëm 25 ndeshje në kompeticionin e UEFA-s për klube me fanellën e Moldes, Salcburgut e Dortmundit dhe ka treguar se mbetet një makineri golash edhe pas transferimit në Angli. Sevilja mbetet gjithnjë një skuadër me përvojë në Europë, por Haland me shokë pritet të shfrytëzojnë shanset e tyre kundër një mbrojtjeje të rimodeluar pas largimeve gjatë merkatos së verës. Pep Guardiola regjistroi gjysmëfinalen e nëntë në Champions në karrierën e tij (rekord) duke lënë pas Zhoze Murinjon.

DORTMUND-KOPENHAGEN – “Ne jemi këtu për të luftuar dhe dhuruar futboll emocionues për tifozët”, thotë trajneri i Kopenhagenit, Xhes Thorup. Danezët mund të shkonin në stadiume më të lehta se “Muri i Verdhë” i famshëm, por përveç një kapitullimi surprizë kundër Bremenit muajin e shkuar (humbën ndeshjen që po kryesonin 2-0 deri në 89′), Dortmundi duket se po ambientohet mirë pa Halandin. Sëmundja e Halerit i privon ata nga shërbimet e sulmuesit, por gjermanët transferuan Adejemin, i cili shkëlqeu për Salcburgun sezonin e shkuar. Kopenhageni është e vetmja skuadër daneze që është kualifikuar në ndeshjet me eliminim direkt në Champions.

SALCBURG-MILAN – Adejemi ishte një nga disa lojtarët kyç që u larguan nga kampionët e Austrisë në verë, por Salcburgu mbetet një makinë e mirëvajisur: personeli ndryshon shpesh, por rezultatet nuk njohin rënie. Fernando, i transferuar nga Shahtjori, ka marrë rolin e bomberit dhe me siguri do t’i hapë probleme mbrojtjes së Milanit. Kuqezinjtë, kampionë Italie pas 11 vitesh, sfidën e radhës do të kenë rizbulimin e magjisë së tyre europiane. Dhe një nisje e fortë mund të jetë çelësi. Salcburgu u bë skuadra e parë austriake sezonin e shkuar që arriti të kualifikohej në 1/8-at.

PSG-JUVENTUS – Nuk ka emocion më të bukur sesa të përballesh me ish-skuadrën vetëm pak javë pas ndarjes. Di Maria kaloi 7 vite të suksesshme në Paris përpara transferimit te Juvja këtë verë. Argjentinasi mund të mos presë një përshëndetje të ngrohtë sot në “Parc des Princes”, ndërsa përballë do të ketë një skuadër që ka treguar shenja të vërteta sulmuese nën dirigjimin e trajnerit të ri, Kristol Galtie. Në fazën e grupeve sezonin e shkuar, Mbape shënoi golin e 50-të në Champions, duke u bërë lojtari i 11-të që shënonte 20 gola në transfertë në këtë kompeticion. Iu deshën vetëm 23 ndeshje në total, më pak se 10 të parët në klasifikimin e kësaj kategorie.

LAJPCIG-SHAHTJOR – Kristofer Nkunku u përfol për një largim pas 35 golave dhe 20 asisteve sezonin e shkuar për Lajpcigun në të gjitha kompeticionet. Ai pritet të jetë kërcënimi kryesor për gjermanët. Shahtjori, që do t’i luajë ndeshjet në Kiev pas luftës në Ukrainë, vjen mes shumë pasigurive. Ata kanë luajtur vetëm 3 ndeshje këtë sezon. Ukrainasit që janë kualifikuar në fazën e grupeve 17 herë në histori, nuk kanë shkuar më tej 1/8-ave në 12 raste.

BENFIKA-MAKABI HAIFA – Ndeshja e fundit në grupe për Makabin në 2009-’10 përfundoi me zhgënjim për izraelitët: 0 gola, 0 pikë. Benfika mund të presë një ndeshje të hapur. Portugezët kanë shënuar mesatarisht 3 gola për ndeshje në 9 sfidat sezonale që kanë fituar deri tani. Makabi Haifa është skuadra e parë izraelite që u kualifikua në fazën e grupeve të Champions-it (debutoi në 2002-shin).

champions

NESËR

NAPOLI-LIVERPUL – Jo shumë skuadra kanë arritur të marrin më të mirën nga Liverpuli gjatë 4 sezoneve të fundit, por dy herë që “Reds”- at kanë vizituar stadiumin “Diego Armando Maradona” në këtë kompeticion, dy herë janë larguar prej andej pa fituar asgjë. Sezonin e shkuar, skuadra e Klopit u bë ekipi i parë anglez që i fitoi të 6-ta ndeshjet e fazës së grupeve.

AJAKS-REJNXHËRS – Alfred Shrojder ka një detyrë të vështirë që të zëvendësojë një emër si Erik ten Hag në stolin e Ajaksit edhe pas largimit të yjeve nga kampionët e Holandës. “Harkëtarët” fituan 6 ndeshjet e grupit për herë të parë në histori sezonin e shkuar dhe u renditën në krye të tij për herë të parë që prej sezonit 1995-’96.

BARCELONA-PILZEN – “Do të luajmë kundër rivalit të ëndrrave tona”, tha mesfushori i Pilzenit, Jan Sikora. Por një Barça me Levën në ekip mund të shndërrohet në objekt makthi për çekët. Sulmuesi polak, i cili mbushi 34 vjeç në gusht, nuk tregon shenja ngadalësimi, me 41 gola në 34 ndeshjet e fundit në Champions. Sezonin e shkuar, katalanasit nuk arritën të kualifikoheshin nga grupet për herë të parë prej 2000-’01.

INTER-BAJERN – Fitorja e Barcelonës ishte humbja e Bajernit në lidhje me Levën. Por kampionët e Gjermanisë kanë shënuar 5, 6 dhe 7 gola në ndeshje të ndryshme këtë sezon dhe nuk po tregojnë se po i vuajnë golat e polakut. Me Barcelonën, skuadrën tjetër të grupit, trajneri Nagelsman kërkon fitoren në “San Siro”: “Është një grup shumë sfidues. Duhet të jemi gati prej fillimit”, tha trajneri gjerman. Por edhe Interi, që ka 9 ndeshje që nuk humbet në shtëpi, do të jetë gati gjithashtu. Sezonin e shkuar, Bajerni është skuadra që shënoi më shumë në fazën e grupeve: 22 gola.

TOTENHEM-MARSEJË – Finalja e Champions-it në 2019-ën duket një kujtim i largët për Totenhemin, që vjet luajti në Ligën e Konferencës dhe dështoi edhe atje. Por ka shenja përmirësimi nën drejtimin e Kontes. Megjithatë, Marseja është një test i fortë për ta nisur. Francezët nuk e kanë ndier ende shijen e humbjes.

FRANKFURT-SPORTING Këtë sezon, kampionëve të Ligës së Europës iu deshën 4 ndeshje për të fituar ndeshjen e parë në Bundesligë. Por nëse përsërisin sezonin e lavdishëm në Europë, nuk do të kenë pengje. Ata humbën Kostiçin, por erdhi Gëce. Sportingu ka bërë një nisje të ngjashme të sezonit në Portugali. Përpjekjet e Pedro Gonçalvesit kanë sjellë vetëm 7 pikë në 5 ndeshje.

ATLETIKO-PORTO – Të dyja skuadrat kanë pësuar humbje kundër Vijarealit dhe Rio Aves respektivisht në fillim të sezonit, por ato dinë ta kthejnë timonin në Champions. U përballën dy herë sezonin e shkuar me spanjollët që fituan 3-1 në transfertë dhe barazuan 0-0 në shtëpi. Dy duelet përfunduan me po aq kartonë të kuqë sa edhe gola e pritet një sfidë me të njëjtët oktanë fuqie edhe këtë herë. Porto merr pjesë për herë të 26-të në fazën e grupeve të Champions-it (po aq sa Bajerni). Vetëm Barcelona dhe Reali kanë më shumë pjesëmarrje (27).

BRYZH-LEVERKUSEN – Pasi Shrojder u largua për të marrë drejtimin e Ajaksit, vendin e tij e mori Karl Hofkens. Në sulm, produkti i akademisë së Espanjolit, Ferran Jutgla, ka lënë gjurmë për klubin belg dhe 23-vjeçari mund t’i hapë probleme Leverkusenit, një skuadër që ka vuajtur në prapavijë gjatë këtij sezoni. Klyb Bryzhi u bë skuadra e parë në histori që pëson 4 apo më shumë gola në 4 ndeshje radhazi në Champions sezonin e shkuar.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO


Skaneri i të gjitha sfidave të grupeve, sekretet e 16 dueleve të para në Champions

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook